Kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, për hapjen pjesërisht të stadiumit “Air Albania” për tifozët me rastin e ndeshjes kundër Anglisë, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve iu përgjigjën negativisht.
Por kreu i qeverisë së futbollit, Armand Duka nuk heq dorë. Sot, ai i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet së cilës shpjegon rëndësinë që ka për imazhin e Shqipërisë ndeshje me Anglinë dhe zhvillimi i saj me praninë e tifozëve.
Letra e Armand Dukës, pa ndërhyrje:
“I nderuar zoti Kryeministër!
Uroj të kem vëmendjen tuaj të plotë, në prag të një përballjeje historike dhe të shumëpritur me Anglinë, që rikthehet në Shqipëri pas plot dy dekadash. Një përballje që prej javësh na ka vendosur në qendër të vëmendjes së medieve më të mëdha botërore, ku imazhi i futbollit tonë pasqyrohet me nota shumë pozitive dhe shikohet në rritje të vazhdueshme.
Po ju drejtohem ju, sepse ne i kemi konsumuar të gjithë shkallët e procesit burokratik duke i shkruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, nga të cilët kemi marrë përgjigje refuzuese për praninë e një numri të reduktuar të tifozëve në stadium, siҫ e lejon dhe qeveria europiane e futbollit, UEFA.
I nderuar z. Kryeministër!
Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit Katar 2022. Ne kemi një stadium modern, me standardet më të larta botërore, që na lejon të kemi minimalisht 30% të tifozëve në stadium, duke mundësuar shmangien e ҫdo rreziku nga virusi Covid-19.
Nëse kjo prani e limituar tifozësh shikohet ende si një problem nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, atëherë do ju propozoja që të lejohen në stadium të gjithë personat që janë vaksinuar dhe kanë përfituar nga procesi i vaksinimit masiv që ju si Qeveri po zhvilloni në mbarë trojet shqiptare.
Duke marrë parasysh faktin se Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosi që grumbullimi i më shumë se 10 personave pas 25 marsit është i lejuar, jam besimplotë që ju do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë në të mirë të futbollit shqiptar dhe dashurisë që kanë tifozët tanë për fanellën kuqezi.
Sinqerisht,
Armand Duka”
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi