Christian Panucci duket se ka filluar të qartësojë idetë e tij lidhur me formacionin që do të përdorë në ndeshjen me Norvegjinë.
Në seancën stërvitore të kësaj të enjteje, trajneri dha jo pak indikacione sa u përket titullarëve në ndeshjen e së hënës, ku pritet të ketë disa befasi në rreshtimin nga minuta e parë.
Sipas asaj që Supersport ka mundur të mësojë, Panucci do të luajë me skemën 4-3-3, ku risia do të nisë që nga porta, teksa Etrit Berisha ka vazhduar të shfaqë probleme fizike dhe në një ndeshje përgatitore të organizuar nga trajneri, nuk ishte i pranishëm në asnjë prej ekipeve. Panucci provoi te ndeshja e kontrollit dy skuadra, të parën me rreshtimin 4-3-3 dhe të dytën, që mund të konsiderohet si skuadra e rezevave, me rreshtimin 4-2-3-1.
Në portë duhet ta nisë nga minuta e parë Thomas Strakosha, ndërkohë që në mbrojtje nuk ka risi, me Hysajn në të djathtë, Lenjanin në të majtë e Mavrajn e Gjimshitin në qendër. Në mesfushë bie në sy eksperimentimi me Ramadanin në qendër, ndërsa reparti plotësohet nga Xhaka dhe Qaka, me këtë të fundit që do të ketë për herë të parë një fanellë titullari.
Këtyre 3 lojtarëve trajneri u kushtoi jo pak vëmendje, duke hyrë dhe në fushë dhe dhënë indikacione. Ndërkohë në skuadrën e parë me rreshtimin 4-3-3, trajneri hodhi në sulm Grezdën, Balajn në qendër dhe Roshin në krahun tjetër dhe ky pritet të jetë dhe maja e sulmit për ndeshjen e së hënës. Këto ditë duket se kanë bindur trajnerin që të ndryshojë emrat dhe sa i përket sulmit, duke preferuar Balajn përpara Sadikut, që në ndeshjen stërvitore luajti me ekipin tjetër, raporton SS.
Gjithsesi, Sadiku tregoi se nuk do të heqë dorë lehtë nga një fanellë titullari, teksa arriti të shënojë dhe një gol për skuadrën e rezervave, ndërsa një tjetër iu anullua nga stafi për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë të ndeshjes së kontrollit brenda grupit trajneri megjithatë bëri disa ndryshime, duke hedhur me ekipin e parë Alijin në vend të Lenjanit, Likan për Hysajn, Lilajn për Ramadanin dhe Ajetin që i zuri vendin Gjimshtit.
Me ekipin e parë luajti më pas dhe Sadiku. Sfida u mbyll në barazim 2-2, me Sadikun që shënoi një gol për çdo skuadër, ndërsa për ekipin e rezervave shënoi gjithashtu dhe Gavazaj e për titullarët Roshi. Gjithsesi, alternativat e para me shumë mundësi janë për momentin më të avantazhuar për të patur një vend titullari dhe pse deri të hënën shumë gjëra mund të ndryshojnë. Sa i përket pjesës tjetër të stërvitjes, në fillim të saj pati dhe një takim të përzemërt me një fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa Armando Sadiku, pavarësisht se nuk e nisi ndeshjen me ekipin e titullarëve u largua nga fusha me një përshëndetje për mediat duke u shfaqur i lumtur nga paraqitja e tij në ndeshjen e kontrollit. /Express/
Ushtria urdhërohet “të qëllojë menjëherë”, teksa mbështetësi...
Sot në Kamenicë zbulohet shtatorja e heroit Metush Krasniqi
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...