Ka përfunduar java e 26-të në elitën e futbollit kosovar, ku katër ndeshje janë kryer pa fitues.
Dy fitoret e vetme këtë xhiro i takuan skuadrave gjilanase Dritës e Gjilanit që triumfuan në udhëtim te Vushtrria (0-4) respektivisht te Dukagjini (1-3).
Llapi ndali Prishtinën në barazim 1-1, njëjtë siç veproi edhe Ferizaj ndaj Dukagjinit.
Me rezultatin identik 1-1 përfundoi edhe sfida mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit, ndërsa derbi drenicas Feronikeli – Drenica përfundoi pa gola 0-0.
Telegrafi si çdo javë edhe këtë herë ka zgjedhur 11-shen më të mirë të javës.
Portieri
Giacomo Nava ka bërë një ndeshje të madhe ndaj Prishtinës. Portieri italian shfaqi aftësitë e tij në këtë takim duke pritur disa gjuajtje të bardhekaltërve dhe duke i siguruar një pikë të madhe Llapit.
Mbrojtja
Kësaj radhe vjen me tre mbrojtës dhe të tre kanë pasur paraqitje brilante në rezultatet e arritura nga skuadrat e tyre.
Arbër Prekazi ishte fantastik në mbrojtje, por shënoi edhe golin e vetëm për Ballkanin. Së bashku me Prekazin janë edhe Ergon Hyseni i Ferizajt që zhvilloi lojë të madhe përballë sulmuesve suharekas si dhe kapiteni i Flamurtarit, Veton Kabashi që ishte më i dalluari nga kryeqytetasit në takim ndaj 89-shit.
Mesfusha
Reparti i mesfushës këtë javë vije me katër lojtarë dhe që të katërtit kanë realizuar gola vendimtar për skuadrat e tyre.
Bashkim Shala shënoi për Flamurtarin, ndërsa Muharrem Jashari me një eurogol barazoi shifrat në fundin e takimit për 89-shin.
Mentor Zhdrella bëri një gol maestral nga gjuajtja e lirë duke i siguruar Llapit një pikë, por kapiteni i llapjanëve gjatë gjithë takimit sa qëndroi në fushë ishte ndër më të mirët.
Gol nga gjuajtja e lirë shënoi edhe talenti Albin Krasniqi për Ferizajn, duke i bërë nder skuadrës së tij Dritës nga ku është huazuar te ‘Ujqit’ për t’ia ndalë një pretendent për titull.
Sulmuesit
Ahmed Januzi ishte shënuesi i vetëm i Prishtinës në barazim ndaj Llapit dhe ndodhet në qendër të sulmit. Vushtrriasi përveç golit pati edhe disa raste duke shfaqur formë të lartë.
Xhevdet Shabani i Dritës ishte më meritori për suksesin e kësaj skuadre në Vushtrri. Kaçanikasi shënoi gol në minutën e parë, por edhe asistoi dhe ishte i pandalshëm për mbrojtjen vendase.
Në mesin e më të mirëve të kësaj jave zë vend edhe Fiton Hajdari i Gjilanit. Sulmuesi llapjan po tregon formë të lartë dhe po vazhdon me gola si këtë javë që realizoi ndaj Dukagjinit në fitoren e Gjilanit 1-3.
Formacioni më i mirë i xhiros së 26-të në Ipko Superligë:
Trajneri
Trajneri i javës kësaj radhe është Burim Qerkini i Ferizajt. Pas tri humbjeve radhazi, Qerkini e kishte përgatitur mjaftë mirë skuadrën e tij për duelin ndaj Ballkanit ku arritën një pikë. Përpos pikës së fituar, Ferizaj ka bërë lojë shumë të mirë dhe shumë lehtë ka mundur t’i marrë pikët e plota nga ky takim.
/Telegrafi/
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...