Milani ka arritur marrëveshje për të nënshkruar me mesfushorin francez Fofana nga Monaco. 25-vjeçari do të zbresë në Milano të premten në mbrëmje dhe do të prezantohet para mediave të shtunën, disa orë para ndeshjes së parë të sezonit të Milanit kundër Torinos në San Siro.
Fonseca tha në konferencën e tij të parë për shtyp para ndeshjes se ai ka pasur “ndjenja pozitive” që nga dita e parë e para-sezonit.
“Ne jemi të gatshëm dhe të sigurt, me ambicie të mëdha”, tha portugezi i cituar nga TMW. “Ne duam të luajmë me identitetin tonë dhe t’ua tregojmë atë tifozëve tanë. Ishte e vështirë të imagjinoje këto ndjenja pas vetëm pesë javësh punë. Kam shumë besim për nesër”.
Fonseca pranoi se Milani ishte ndër klubet në rreshtin e parë për të fituar Scudetton.
“Ka pasur një ndryshim të rëndësishëm. Nuk po them se jemi në vendin e parë (për të fituar titullin), por jemi afër vendit të parë në këtë garë. Interi ka qenë shumë i fortë në dy sezonet e fundit. Ata arritën në një finale të Ligës së Kampionëve dy vjet më parë dhe me meritë fituan titullin sezonin e kaluar”, vazhdoi Fonseca.