Foda: Për të arritur kualifikimet në Botëror apo Europian, ne duhet të performojmë për 90 minuta, 60 minuta nuk mjaftojnë

21:22 | 26 Mars 2024
D.H

Kosova nuk arriti të marrë rezultat pozitiv ndaj Hungarisë, pavarësisht që bëri një ndeshje të mirë për afro 60 minuta.

Në ‘Puskas Arena’, Kosova humbi 2-0 ndaj kombëtares së Hungarisë e cila është kualifikuar edhe në Kampionatin Evropian, shkruan Arbresh.info.

Pas ndeshjes përzgjedhësi i ri i Kosovës Franco Foda u shpreh i kënaqur për lojën deri në minutën e 60-të.

“Deri në minutën e 60’ isha shumë i kënaqur. Në pjesën e parë kishim mundësitë më të mirë për shënim. Por, në pjesën e dytë pranuam gol që nuk bën të pësohet në këto nivele. Duhet të mësohemi që pas pësimit të një goli të tillë, kishte edhe 30 minuta, dhe mund të barazonim. Më pas pësuam edhe të dytin, dhe ndeshja mbaroi”, tha fillimisht Foda.

Ai tha se përformancën që e kanë bërë për 60 minuta duhet të bëjnë në tërë ndeshjen, por që sipas tij të drejtuarit e tij nuk janë në atë nivel për momentin.

“Skuadra u mundua t’i zbatonte urdhrat dhe ato që u kërkova unë. Bëmë presing, fituam shumë topa dhe krijuam raste. Ndonjëherë kemi humbje të lehta të topit, si te goli i parë. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë. Performancën që bëmë për 60 minuta, duhet të mësohemi ta bëjmë për 90 minuta, por nuk jemi ende në atë nivel. Kjo është shumë e rëndësishme, duhet të përmirësohemi në këtë drejtim. Për të arritur kualifikimet në Botëror apo Europian, ne duhet të performojmë për 90 minuta. 60 minuta nuk mjaftojnë”, vazhdoi gjermani.

Teksa për fund u ndal dhe foli edhe për lojtarët që u inkuadran nga banka.

“Lojtarët e ardhur nga stoli? Gjithmonë shpresa është që të përmirësohet loja me zëvendësimet që bëjmë. Humbëm topa, atë priste Hungaria, nuk bën të ndodhë më një gjë e tillë”, theksoi tekniku i Kosovës.

Kjo ishte humbja e parë e Kosovës në drjetimin e Fodas, kujtojmë se gjermani debutoi me fitore para katër ditësh ndaj Armenisë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme