Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet

16:32 | 17 Nëntor 2024
E.G

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë më asnjëherë që të ofendohet.

Kosova të hënën do të mbyllë edicionin e saj në Ligën e Kombeve me një ndeshje ndaj Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në një konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme, trajneri i Kosovës ka thënë se vendimi i UEFA-s nuk ka shumë rëndësi për Kosovën, sepse mesazhi është përcjellë: racizmi nuk ka vend në futboll.

Duke u ndalur te Lituania, ai e ka vlerësuar stilin e lojës së kësaj skuadre.
“Lituania e ka një ekip mjaft kompakt. E kam përcjellur ndeshjen e Lituanisë në Rumani. Edhe pse nuk ka marrë pikë nga ajo lojë, ka luajtur shumë mirë. Luan mirë në kundërsulme. E rëndësishme është që të dalim përtej limiteve tona dhe të japim 100 për qind të cilësive tona. Duhet ta kemi pasionin dhe energjinë sikur që e kishim me Rumaninë”, ka thënë Foda. “Lituania është ekip që luan ndryshe nga ekipet e tjera. E ka një mënyrë shumë interesante të lojës. Shumë fleksibile sa i përket lojës në mbrojtje e sulm. Luan mirë me topa të gjatë. Por për ne është e rëndësishme ta kemi topin dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë. Duhet të paraqitemi sa më mirë”.

Ai është ndalur tek mungesat e skuadrës, por ka thënë se ka opsione tjera.

“Mungojnë Amir Rrahmani e Lumbardh Dellova. Këta dy lojtarë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe nuk do të jenë të gatshëm për lojën e radhës ndaj Lituanisë. Kemi opsione të mjaftueshme. Kemi Alitin, Hotin, Krasniqin si dhe mundësi të tjera”, është shprehur Foda.

Gjatë ditës Foda dhe futbollistët kosovarë janë takuar edhe me kryeministrin, Albin Kurti, nga i cili kanë marrë mbështetje pas ngjarjes së fundit në Rumani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme