Google ADS

Fitore minimale nga Dortmundi, Bayerni vetëm barazim

17:27 | 3 Nëntor 2018
Arbresh Info

Borussia Dortmundi i është rikthyer fitoreve pasditen e sotme (e shtunë), ndërsa gjiganti tjetër gjerman Bayern Munichu ka regjistruar vetëm barazim nga rivali i xhiros së fundit.

Lideri i tabelës në Bundesliga, Borussia Dortmundi ka siguruar tri pikë të plota nga takimi i zhvilluar si mysafirë në kuadër të xhiros së dhjetë duke mposhtur me rezultat minimal 0 me 1 skuadrën e Wolfsburgut në Volkswagen Arena, shkruan portali arbresh.info.

Goli me kokë nga Marco Reus në minutën e 27′ pas asistimit nga Thomas Delaney rezultoi të jetë vendimtar për këtë takim duke bërë që skuadra nën udhëheqjen e Lucien Favres t’i rikthehet fitoreve pas barazimit befasues në shtëpi me rezultat 2 me 2 ndaj Herthas në xhiron e fundit.

Nga ana tjetër, Bayern Munichu u ndëshkua në sekondat e fundit të ndeshjes duke siguruar vetëm një pikë kundër SC Freiburgut.

Kampioni në fuqi gjerman zhbllokoi shifrat duke kaluar në avantazh në minutën e 80′ përmes Serge Gnabrys, por mysafirët befasuan duke barazuar shifrat për 1 me 1 derisa po zhvillohej minuta e fundit e kohës së rregullt të ndeshjes.

Lucas Holer ishte autori i golit për skuadrën e Christian Streich.

Borussia Dortmundi tani ka 24 pikë si lider i tabelës, ndërsa Bayern Munichu qëndron në pozitën e dytë me katër pikë më pak./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme