Fitim Arifi dhe Diellza Kelmendi do të udhëheqin me Akademinë Olimpike të Kosovës

20:00 | 6 Tetor 2021
KRG

Në kuadër të shtimit të administratës së Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe me vendim të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Fitim Arifi dhe Diellza Kelmendi do të udhëheqin me Akademinë Olimpike të Kosovës, e cila do të veprojë në kuadër të KOK-ut.

Të dy kanë nisur punën më 1 tetor të këtij viti, derisa paraprakisht kishin kaluar nëpër procedura të intervistimit, pas konkursit të publikuar në muajin gusht në ueb-faqen dhe rrjetet sociale të KOK-ut.

Arifi, është emëruar në pozitën e “koordinatorit të programit arsimor”, ndërsa Kelmendi, në pozitën e “koordinatores së vlerave olimpike”.

Arifi është doktor i Shkencave të Edukimit Fizik, ndërsa së fundi ishte ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.

Kelmendi, që është edhe doktor shkence e Kineziologjisë, është edhe kryetare e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës. Ajo vjen pas përvojës 9-vjeçare në Universitet si mësimdhënëse, ndërsa gjatë karrierës si sportiste ka qenë basketbolliste e KB Universiteti.

Akademia Olimpike e Kosovës, do të promovojë vlerat olimpike dhe shpirtin olimpik në Kosovë, me fokus të veçantë edukimin e stafit profesional në fushën e sportit. /arbresh.info/

Të ngjashme