Finalja e Conference League në Tiranë, delegacioni i UEFA-s vjen për vizitën e 3-të inspektuese

16:53 | 7 Shkurt 2022
KRG

Një delegacion i UEFA-s do të mbërrijë sot në Tiranë për të nisur një vizitë inspektuese treditore në kuadër të organizimit të finales së UEFA Europa Conference League, që do të luhet në Tiranë më 25 maj.

Në fakt, UEFA ka dërguar në Shqipëri vazhdimisht përfaqësues të saj që nga nëntori i vitit të kaluar e në vazhdim për të kontrolluar të gjithë infrastrukturën aeroportuale, rrugore, hyrjet e daljet në qytet, hotelerinë, fushat ku do të stërviten ekipet finaliste, zonat ku do të grumbullohen tifozët e skuadrave si edhe përshtatja e stadiumit për finalen.

Siç dihet, në ditën e finales pritet që në Tiranë të mbërrijë një numër i madh tifozësh e zyrtarësh, por edhe personalitete dhe duhet që e gjithë infrastruktura për të pritur një fluks të madh njerëzish të jetë gati, përcjell arbresh.info.

Kjo është vizita e tretë inspektuese e grupit të punës të ngritur nga UEFA për organizimin e finales së Conference League e që përbëhet prej 61 personash.

Fillimisht do të ketë një inspektim në aeroportin e Rinasit me përfaqësues të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit e më pas do të vijohet me takime me përfaqësues të Bashkisë Tiranë në lidhje me sheshet që do të përcaktohen për t’u mbledhur tifozët, parkingjet, facilitetet që duhen krijuar, rrugët që do të bllokohen në ditën e finales, por edhe banerimin e qytetit para finales së madhe.

Sigurisht, një vëmendje e madhe do t’i kushtohet stadiumit “Air Albania” dhe punimeve që duhen bërë aty për ta përshtatur çdo detaj me kërkesat e UEFA-s.

Një aspekt i rëndësishëm është krijimi i të gjithë kushteve për të plotësuar kriteret e transmetuesit televiziv të finales.

Gjithashtu, pjesë e këtij grupi do të jenë dhe përfaqësues të sponsorave të aktivitetit, të cilët vijnë për të parë mundësinë për të organizuar aktivitete promovuese gjatë ditëve para finales.

Në këtë vizitë do të diskutohet edhe për organizimin e vullnetarëve që do të angazhohen për këtë event madhor.

Në mars do të ketë edhe një vizitë inspektuese të fundit e më pas do të nisë puna në terren për përgatitjen e finales. / arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme