FFK vazhdon partneritetin me bankën TEB edhe për dy vjet

18:49 | 31 Gusht 2020
Arbresh Info

Sot me një ceremoni solemne është bërë nënshkrimi i vazhdimit të kontratës së partneritetit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Bankës TEB.

Për shkak të rrethanave të pandemisë ceremonia është bërë me numër të limituar të pjesëmarrësve, derisa përveç presidentit Agim Ademi dhe drejtorit gjeneral të bankës TEB, Orcun Ozdemir të pranishëm ishin edhe nënkryetari Bakir Burri, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani.

Presidenti Agim Ademi theksoi se për FFK-në është kënaqësi që ka një partner të tillë si banka TEB dhe se të dyja palët kanë treguar seriozitet maksimal gjatë rrugëtimit të përbashkët katërvjeçar dhe tani partneriteti do të vazhdohet edhe për dy vjet.

“Përkrahja e kësaj banke është shumë e rëndësishme, jo vetëm për futbollin por edhe për sportin në përgjithësi. E falënderoj drejtorin gjeneral për mbështetjen dhe besoj se do t’ia kthejmë me rezultate tjera të mira dhe së bashku do të vazhdojmë rrugëtimin me sloganin tonë me krenari e përgjegjësi”, ka thënë presidenti Ademi.

Ndërkaq, drejtori gjeneral i bankës TEB, Ozdemir u shpreh i kënaqur që partneriteti me FFK-në po vazhdon edhe për dy vjet tjera, teksa u shpreh krenar që banka që drejton do të jetë edhe më tutje sponsor i Kombëtares së Kosovës. Ai shprehu shpresën se edhe në ciklin e ri sukseset e futbollit kosovar nuk do të mungojnë.

Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahamani theksoi se vazhdimi i partneritetit me TEB-in është një punë e mirë që e ka bërë federata.

“TEB-i është një sponsor që na ka mbështetur që nga dita e parë dhe ta kesh një sponsor stabil është padyshim kënaqësi”, ka thënë Rrahmani.

Banka TEB tash e tutje do ta përkrahë ekipin Kombëtar edhe me veshjet solemne./arbresh.info.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme