FFK: Shefki Kuqi dhe plot trajnerë tjerë po i vetofrohen për selektorë, pa i ftuar fare!

16:40 | 24 Nëntor 2020
A. B.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka lëshuar një komunikatë të çuditshme që ka të bëjë me emërimin e selektorëve të rinj të Kosovës U-21 dhe ekipeve tjera zingjirore.

Në një kohë kur po priten ndryshime në ekipet e reja kombëtare, FFK-ja thotë se janë shtatë-tetë trajnerë që iu janë afruar në kërkim të pozitave të selektorëve, proces ky që në fakt do të duhej të kryhej profesionalisht, me plane e projekte zhvillimore, mbi bazën e meritave profesionale të një trajneri.

Madje, FFK thotë se edhe legjenda me karrierë të bujshme ndërkombëtare, Shefki Kuqi, i është vetofruar për postin e selektorit të Kosovës U-21, të cilën pozitë momentalisht e mban Rafet Prekazi, të cilin po e pret largimi nga kjo detyrë.

Në njoftimin e FFK-së thuhet:

“Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me raportimet e fundit në media se Shefki Kuqi do të jetë përzgjedhës i ri i Kombëtares U21. Deri më tash Komiteti Ekzekutiv ende nuk është mbledhur për të analizuar punën e ekipeve kombëtare zingjirë dhe për të diskutuar rreth ndryshimeve eventuale. Fillimisht do të kërkohet raporti i punës nga menaxherët e ekipeve kombëtare dhe më pas do të ftohen për bisedë trajnerët e secilës grupmoshë. Sigurisht se aty ku vlerësohet se është e nevojshme të ketë ndryshime do të ndërmerren hapat e duhur, por tash për tash nuk është zhvilluar asnjë takim me asnjë prej emrave që përmenden në media. Është e vërtetë që Shefki Kuqi ka shprehur interesim për të dhënë kontributin e tij për futbollin e Kosovës, por krahas tij janë edhe 7-8 emra tjerë që po ashtu kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe KE i FFK-së do të analizojë mirë çdo gjë para se të vendosë për hapat konkret”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme