FFK reagon për dhunën tronditëse në disa ndeshje futbolli këtë fundjavë

20:39 | 18 Prill 2021
A. B.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka dënuar dhunën që e tronditi futbollin në vend në fundjavë, si dhe iu ka bërë thirrje komisioneve të veta dhe organeve shtetërore për hetimin e rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Futbolli në vend mori goditje tronditëse këtë fundjavë, pasi dhuna u pa në hiç më pak se në tri ndeshje futbolli të kategorisë së dytë dhe të tretë.

Ndeshja e Ligës së Parë – kategorisë së dytë të futbollit në vend – mes Ferizajt dhe Ulpianës u ndërpre në minutën e 95-të, për shkak të një sulmi fizik ndaj gjyqtarit kryesor Petrit Rama.

Rama thuhet të jetë sulmuar nga një tifoz, i cili i kishte kaluar rrethojat mbrojtëse të stadiumit për te arritur deri të gjyqtari, në një ndeshje ku prania e publikut ndalohet, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ishte nevojitur ndërhyrja e policisë për ta larguar tifozin e dhunshëm nga fusha.
Dhunë pati edhe në dy ndeshje të tjera të Ligës së Dytë – kategorisë së tretë të futbollit në vend – mes Fushë Kosovës dhe Vjosës, si dhe Minatori e Beharit.

Në një komunikatë ne uebsajtin e vet, FFK-ja e dënoi dhunën dhe kërkoi që ndërmerren masa ndaj përgjegjësve.

“Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim incidentet e ndodhura gjatë kësaj fundjave në disa prej stadiumeve tona. Me këtë rast e dënojmë ashpër dhunën e shfaqur në ndeshjen e Ligës së Parë, Ferizaj – Ulpiana dhe në dy ndeshjet e Ligës së Dytë, Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari”, thuhet në reagim e FFK-së.

FFK shtoi: “Për FFK-në çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat. Ftojmë të gjitha organet dhe komisionet tona që gjatë ditëve në vazhdim të shqyrtojnë e të analizojnë në detaje ngjarjet e ndodhura këtë fundjavë dhe të ndërmarrin masat e duhura ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena të pahijshme.

Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra”. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme