FFK kërkon nga klubet respektim strikt të masave antiCovid-19

12:59 | 26 Korrik 2020
Arbresh Info

Fundi i këtij kampionati maratonik erdhi. Sot zhvillohen ndeshjet e javës së 33-të (të fundit) për këtë edicion të garave në Ipko Superligë.

Ky kampionat ishte i veçantë nga të gjithë të tjerët, ngase për herë të parë ishim të detyruar që të luajmë edhe në muajt e verës dhe pa praninë e tifozëve. E gjithë kjo ndodhi për shkak të pandemisë Covid-19, më të cilën po ballafaqohet e tërë bota.

Natyrisht, javëve të fundit situata në vendin tonë është përkeqësuar dukshëm dhe virusi është përhapur kudo. Si rrjedhojë Qeveria ka shtrënguar masat për parandalimin e këtij virusi, me ç’rast janë ndërprerë edhe aktivitetet sportive, me përjashtim të garave në Ipko Superligë.

Andaj, duke u dëshiruar suksese dhe përmbushje të objektivave, kërkojmë që klubet t’u përmbahen dhe të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e parapara me protokollin e organizimit të ndeshjeve në kushtet e pandemisë të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.

Pra, të gjithë personat e pranishëm në ndeshje janë të obliguar të mbajnë maska dhe të mbajnë distancë, teksa në stadium nuk guxon assesi të ketë të pranishëm të tjerë përveç personave që janë të lejuar nga udhëzimi i lëshuar nga FFK pas rifillimit të kampionatit.

Kudo që do të ketë shkelje të protokollit sanitar dhe prani të personave jokompetentë, zyrtarët e FFK-së do të reagojnë dhe nuk do të lejojnë zhvillimin e ndeshjes.

Prandaj, kërkojmë nga klubet përgjegjësi maksimale edhe në këto ndeshje, në mënyrë që ta përmbyllim këtë kampionat me dinjitet dhe mos të vjen deri te ndërprerja e aktivitetit nga ana e organeve shtetërore.

Me këtë rast, FFK i falënderon të gjitha institucionet të cilat treguan mirëkuptim dhe lejuan zhvillimin e garave të Superligës në këto rrethana të vështira.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme