FFK-ja ua mbyll gojën të pakënaqurve për logon, atë e zgjodhi Vokrri

15:22 | 19 Qershor 2018
Arbresh.info

Sot u mbajtë një protest simbolike para zyrave të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të logos së re.

Jo më shumë se dhjetë persona me këtë rast shprehën pakënaqësinë për dizajnin e logos, duke pretenduar se kjo logo nuk e ka merituar të zgjidhet.

Ata po ashtu kanë vendosur parullën “O dhëndër na bone horë”, duke ia kushtuar këtë disenjatorit të logos, i cili thuhet se është dhëndri i Diturie Hoxhës.

Nënkryetari i FFK-së Agim Ademi dhe sekretari i saj, Eroll Salihu u kanë shpjeguar protestuesve se si ka ardhur deri te kjo zgjidhje e logos.

“Nuk është që Federata e futbollit ka bërë diçka vet, nëse kishim dashur ta bëjmë vetë personalisht diçka ne e kishim bërë vetë, si Federatë e futbollit qysh ka ndodhë deri më tani, që është ndërruar ajo kuq e zi dhe është ardhur kjo me simbole shtetërore që është bërë një ndryshim i vogël dhe realisht kemi mundur të bëjmë në formë të tillë. Por, kemi dashur të bëjmë pak më në formë profesionale dhe e kemi bërë në këtë formë ku kanë konkurruar 160 vetë”, tha Ademi.

Ndërsa sekretari i Federatës së Kosovës në Futboll, pohoi që kjo ka qenë një zgjedhje e ish-kryetarit tashmë të ndjerë të FFK-së Fadil Vokrri, pasi atij i janë ofruar tri zgjedhjet përfundimtare

“Ka qenë e kërkese e UEFA-s dhe FIFA-s e shërbimet të marketingut të UEFA-s të modernizohet logoja. Ajo logoja e kaltër e kemi bërë së bashku në komitet ekzekutiv si autor jozyrtar jam unë. Ka qenë kuq e zi është dashur t’i hiqen simbolet folklorike e tjera, në mënyrë që të identifikohemi me federatë të re. Tash qëllimi i Komiteti Ekzekutiv edhe kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri ka qenë t’i involvojmë të gjitha palët e interesuara pasi kemi mundur të bëjmë vetë”, tha Salihu.

Pas kësaj, protestuesit mbajtën një takim brenda zyrave të FFK-së me drejtues të kësaj të fundit, në të cilin mediat nuk u lejuan të marrin pjesë.

Ky takimi zgjati jo më shumë se 15 minuta, dhe i përfaqësuesi i Prishtina Dizajner, Arben Lezi, tregoi se çfarë u bisedua në atë takim dhe se çfarë përgjigje iu dha FFK-ja.

“Këtë përfundim vetëm e kemi pritur. Na treguan nga Federata se logo është aprovuar nga i ndjeri Vokrri. Nuk kemi mundësi para dy viteve edhe nëse dëshirojmë me ndryshuar, mirëpo zgjedhja ka qenë personalisht e tij, nga tri propozimet të cilat i janë treguar. Forma se si i kanë shkuar propozimet, çfarë ka ndodhur paraprakisht, jetë e dyshimtë. Ne sugjeruam të bëhen edhe hetime për rastin e drejtoreshës së marketingut dhe lidhjen ose angazhimin e saj që ka bërë në këtë proces”, tha ai.

Logoja e re e FFK-së ka ngjallur shumë reagime të qytetarëve në rrjete sociale, por megjithatë atë “mllef”, nuk e shprehen edhe nëpërmjet kësaj proteste. /arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme