Pas Halles në Gjermani Roger Federer u ngjit në dy shifra edhe në turneun e shtëpisë, teksa mundi në finalen e Bazelit numrin 28 të botës, Alex de Minaur. Ndonëse 38-vjeçar veterani zviceran ia doli mbanë kështu për të siguruar gjatë këtij sezoni titullin e 10 në karrierë si në Halle ashtu edhe në Basel, duke koleksionuar trofeun e 103 në karrierë në turnetë ATP, vetëm 6 poshtë tenistit legjendar amerikan Jimmy Connors. Në St. Jakobshalle përpara 9.000 spektatorëve Roger zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke mundur 20-vjecarin nga Sydney në dy sete dhe në vetëm 68′ gjithsej.
Fitorja e 24 radhazi në qytetin e tij të lindjes për tenistin helvet, që siguroi titullin e pestë në pesë pjesëmarrjet e fundit në Basel, sepse në vitin 2016 kampioni në fuqi mungoi për arsye dëmtimi, ndërsa në fazën cerekfinale të edicionit të sivjetshëm takimi me Wawrinka-n nuk u zhvillua, pasi Stan nuk zbriti fare në fushë për shkak të problemeve fizike. Bazeli u bë në këtë mënyrë një ndër turnetë më të sukseshëm në karrierë për 38-vjecarin zviceran, sidoqoftë përvec 10 triumfeve në turneun e vendlindjes dhe Halles Roger krenohet gjithashtu edhe me 8 turne të fituar në Wimbledon e Dubai si dhe 7 të tjerë në Cincinnati. Përsa i përket takimit kjo ishte finalja e 157 në karrierë për tenistin hevet, ndërsa për tenistin australian ishte thjesht finalja e gjashtë si profesionist. Dy vjet më parë Alex De Minaur ishte përtej 200 të parëve të botës, ndërsa në Bazel sportisti nga Neë South Wales u bë vetëm tenisti i dytë australian që ia doli mbanë për të shkuar deri në finale, pas Mark Philippoussis që në 1997 e largët u mund 3-0 nga britaniku Greg Rusedski.
Roger e filloi mirë duelin e parë ndërmjet tyre, duke kryesuar shpejt e shpejt 40-0, megjithatë Alex De Minaur reagoi mirë për të barazuar shifrat dhe Federeri pati nevojë për plot 12 pikë për të siguruar game-n hapës të takimit. Në pesë game-t e para u regjistruan pikë shumë të bukura dhe tenisti australian ngulmoi qartë te backhand-i i kampionit në fuqi, sidoqoftë veterani ndryshoi strategji dhe u mbështet te loja në “slice” duke e vënë menjehërë në vështirësi kundërshtarin e tij. Kështu pas barazimit 1-1 Roger mori tre game-t e radhës për të mbyllur më pas setin hapës 6-2 në vetëm 34 lojë. Në setin pasardhës Alex De Minaur u përpoq të reagojë duke mbajtur në fushë topa gati – gati të pamundur, gjithsesi Federeri e theu edhe dy herë të tjera në servis, për të përfunduar krejt takimin me rezultatin e thellë 6-2, 6-2. Pas Dubai-t, Miami-t dhe Halle-s, Baseli u bë turneu i katërt i fituar gjatë këtij sezoni nga numri 3 i botës, rezultat që e barazoi Federerin me tenistë të tillë si Novak Djokovic, Rafael Nadal, Daniil Medvedev dhe përkohësisht edhe me austriakun Dominic Thiem, përkohësisht, sepse për hir të së vërtetës vetëm pak kohë më vonë 26-vjecari nga Wiener Neustadt ktheu në finalen e Vjenës disavantazhin e një seti ndaj tenistit argjentinas Diego Schwartzman, finale që zgjati afërsisht dy orë e gjysmë, falë së cilës numri 5 i botës tani kryeson i shkëputur me 5 trofe të fituar gjatë vitit 2019.
Titulli i tretë 500 i sezonit për tenistin helvet, dhe i 24 gjithsej në karrierë për të, katër më shumë se sa ndjekësi i tij më i afërt që është Rafael Nadal. Kështu Roger Federer ia doli mbanë për të mbrojtur në atdhe me sukses pikët e vitit të kaluar, për të shënuar emrin edhe në trofeun jubilar të këtij viti, pasi edicioni i sivjetshëm në Bazel ishte i 50-ti. Roger përfitoi një çek të majmë prej 430.000 euro, ndërsa në krahun tjetër Alex De Minaur përfitoi gjysmën e shumës dhe me 300 pikët e finales sportisti i ri australian do të hyjë për herë të parë në karrierë mes 20 tenistëve më të mirëve në rruzull. /SS/
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit