Roger Federer e fillon me fitore aventurën e tij në turneun përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit, që startoi të dielën pasdite në kryeqytetin britanik, teksa mundi në vetëm dy sete tenistin nga Shtetet e Bashkuara, Jack Sock.
Veterani zviceran që e ka fituar gjashtë herë turneun ATP World Tour Finals, më shumë se çdo tenist tjetër në historinë e gjithë këtij aktiviteti, hoqi dorë enkas nga Mastersi i Parisit për të shmangur problemet në shpinë, e njëkohësisht për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë, për një turne të tillë, që përbën gjithashtu edhe objektivin kryesor në këtë pjesë të fundit të sezonit.
Pas mungesës së detyrueshme të vitit të kaluar, Roger Federer u rikthye plot vrull në O2 Arena, duke mundur pastër 25-vjecarin nga Nebraska, në një takim që zgjati diçka më tepër se një orë e gjysmë lojë. Tenisti amerikan e siguroi pjesëmarrjen në Londër në mënyrë fenomenale, pikërisht të dielën e kaluar, teksa la prapa në klasifikim spanjollin Pablo Carreno Busta, pas suksesit të parë në karrierë në një turne Masters, gjë që i mundësoi gjithashtu edhe ngjitjen mes dhjetë tenistëve më të mirë të botës.
Emocionet natyrisht influencuan që në lojën hapëse, pasi 36-vjeçari nga Baseli siguroi menjëherë një game me break, diçka që deri diku edhe pritej, sepse Federer me zgjuarsi pasi fitoi shortin i dha turnin e shërbimit pikërisht tenistit nga Shtetet e Bashkuara.
Numri nëntë i botës që nuk kishte fituar as set në tre përballjet ndërmjet tyre nuk hasi më probleme në servis, megjithatë tenisti helvet administroi më së miri avantazhin duke mbyllur 6-4 setin e parë në vetëm 37′. Seti i dytë ishte më i ekuilibruar, sidoqoftë Roger përsëri nuk u përball me asnjë mundësi për break. Pasi pa t’i anuloheshin plot pesë mundësi nga Sock, Federer u shtrëngua të luante një tie break, gjithsesi tenisti zviceran humbi vetëm katër pikë në lojën përmbyllëse, duke përfunduar gjithë takimin me rezultatin 6-4, 7-6.
Për numrin dy të botës që fitoi 90 per qind të pikëve në shërbimin e parë dhe e përfundoi duelin me 28 goditje fituese dhe 20 gabime kjo ishte fitorja e 50 sezonale, sezon ku Roger Federer ka fituar plot shtatë turne, duke regjistruar njëkohësisht vetëm katër humbje gjithsej. /SS/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...