Federata e Xhudos me kamp përgatitor me xhudistë në Pejë

16:10 | 17 Janar 2024
KRG

Federata e Xhudos së Kosovës po mban kohë pas kohe kampe të ndryshme për zhvillimin dhe masivizimin e këtij sporti.

Një të tillë këto ditë po e organizon në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, ku po përgatiten të gjitha klubet e xhudos kosovare.

Ky kamp ka nisur më 15 janar dhe do të zgjasë deri më datën 19, respektivisht deri të premten.

“Pjesëmarrësit në këtë kamp do të marrin pjesë në Kampionatin e Kosovës për seniorë me datë 20 janar, si dhe do të përgatiten dhe përzgjedhjen për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare për kadetë, juniorë dhe seniorë”, njofton Federata e Xhudos.

Ky është një vit mjaft i rëndësishëm për sportin më të suksesshëm në Kosovë pasi do të mbahet gara më prestigjioze e këtij sporti, respektivisht Olimpiada e Parisit, ku xhudistët kosovarë do të synojnë medalje olimpike.

 

Të ngjashme