Google ADS

Federata amerikane merr hua nga qeveria

09:35 | 21 Prill 2020
A. B.

Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pasur sukses në aplikimin për një hua nga qeveria amerikane. ESPN raporton se Federata amerikane po përfiton nga programi i qeverisë PPP (Payroll Protection Program – Programi për Mbrojtjen e Pagave).

Programi qeveritar PPP është pjesë e tentimeve të qeverisë amerikane për t’ua lehtësuar barrën gjatë krizës së koronavirus kompanive të vogla me nën 500 punëtorë, transmeton Gazeta Express.

Paratë e huazuara përmes këtij programi do të falen plotësisht nëse punëtorët mbesin në listën e të punësuarëve për tetë javë dhe fondet përdoren vetëm për t’i mbuluar pagat, qiratë, interesin e hipotekës dhe shërbimet komunale.

Federata e Futbollit e SHBA-së kishte aplikuar më herët të përfitojë nga ky program dhe ESPN tani raporton se aplikimi i Federatës ka qenë i suksesshëm.

Federata kishte lajmëruar javën e kaluar se ka vendosur t’i lirojë nga puna përkohësisht disa punëtorë, mirëpo Federata do të duhet t’i punësojë ata sërish tani që po përfiton nga qeveria, përndryshe do të duhet t’i kthejë paratë me interes 1 për qind.

Kjo Federatë ka qenë duke u përballur me probleme financiare, pasi që ishte duke u përgatitur të vazhdonte për dy vjet e gjysmë të ardhshme me rezerva prej vetëm 40 milionë dollarësh.

Situata për Federatën amerikane do të bëhet edhe më e rëndë nëse Federata e humb padinë ndaj ekipit kombëtar të vajzave, që e ka paditur Federatën për trajtim diskriminues dhe paga të pabarabarta me djemtë, përkundër që vajzat e fituan Kupën e Botës e djemtë s’arritën as të kualifikoheshin në Kupën e Botës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme