FBK po përkon selektor të ri, në lojë janë tre kandidatë

22:29 | 5 Gusht 2018
Arbresh.info

Ekipi kombëtar i Kosovës në basketboll muajin e ardhshëm do të fillojë garat në para kualifikime për Eurobasket 2021 pasi u eliminua nga Kualifikimet për Kupën e Botës Kina 2019.

Në këto para kualifikime, Kosova ka ambicie të mëdha, meqë kampionatet evropian tash e tutje luhen çdo katër vjet dhe në këto gara marrin pjesë 24 ekipe kombëtare, kështu që në garën që zhvillohet pas tri vjetëve, Kosova nuk është pa gjasa për kualifikim.

Sidoqoftë, Insporti raporton se në këtë garë Kosova do të hyjë me selektor të ri meqë me trajnerin e mirënjohur amerikan Brad Greenberg ka përfunduar bashkëpunimi pas kualifikimeve për botëror.

Një burim i Insportit brenda FBK-së bën të ditur se “Greenberg ka obligime private që nuk mund ti anulojë në mes të shtatorit kur luhet ndeshja me Maqedoninë dhe kjo ka bërë që të mos vazhdohet bashkëpunimi.

Përndryshe të dyja palët janë ndarë shumë të kënaqura dhe kanë lënë dyert e hapura për bashkëpunim në të ardhmen”.

FBK tash është duke kërkuar selektor të ri dhe është e sigurt se do të jetë një emër i madh i basketbollit nga rajoni.I njëjti burim për Insportin deklaroi se “në lojë janë tre emra, dy prej tyre kanë qenë anëtarë të kombëtares së Kroacisë dhe lojtarë shumë vjeçar në Euroligë, kurse një tjetër është trajner i njohur në Evropë.

Dy prej këtyre trajnerëve kanë punuar më herët me Dardan Berishën dhe janë të njohur edhe për ne, kështu që besoj se konfirmimi do të bëhet shpejtë, ndoshta qysh javën e ardhshme”.

Kosova në parakualifikime do të jetë në grup me Maqedoninë e Rumaninë dhe i duhet që të përfundojë e para në grup, që të mund të jetë ndër 32 ekipet evropiane, që kërkojnë kualifikim në Eurobasket 2021.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme