Eroll Salihu: Fadil Vokrri u ankua se kishte një shtrëngim në gjoks

22:08 | 11 Qershor 2018
Arbresh.info

Në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, sonte po diskutohet për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë të shtunën, pas një sulmi në zemër.

Ish-futbollisti Eroll Salihu, tani sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka folur për jetën që bënte i ndjeri, të cilin e kishte mik të afërt.

Salihu ka treguar se Vokrri së voni bënte rregullisht ushtrime fizike në palestër.

“Ka filluar pasi e ka lënë duhanin, pastaj edhe alkoolin. Shumë pak pinte, me shoqëri”, ka treguar Salihu në T7.

Salihu ka thënë se Vokrri ishte ankuar se kishte një shtrëngim në gjoks.

“Pasi u kthye prej Zvicrës, pas miqësores kundër Shqipërisë, tha: ‘Diçka po më shtrëngon’”, ka kujtuar Salihu.

“I thash: ‘Është shenjë e zemrës, është mirë të kontrollohet. Më tha: ‘Nesër’”, ka treguar ai.

Salihu ka thënë se Vokrri nuk e ka bërë kurrë kontrollin e zemrës – prej kohës kur e kishte lënë futbollin aktiv.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme