Eriksen kalon me sukses testet mjekësore te Brentfordi

22:52 | 30 Janar 2022
KRG

Christian Eriksen do të nënshkruajë për Brentfordin në një marrëveshje gjashtëmujore për të bërë një rikthim të jashtëzakonshëm në Ligën Premier, vetëm shtatë muaj pasi pësoi një arrest kardiak.

Eriksen u largua nga Interi muajin e kaluar me marrëveshje të ndërsjellë pasi u pezullua nga autoriteti mjekësor italian nga të luajturit në Serie A për shkak të një rregulli që ndalon përdorimin e një pajisjeje të implantueshme kardioverter-defibrilator (ICD) që ai kishte vënë në zemër.

29-vjeçarit iu implantua ICD pasi pësoi një arrest kardiak gjatë ndeshjes së Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës në Kopenhagë.

Ai ka kryer të gjitha kontrollet e nevojshme mjekësore dhe është në gjendje të rikthehet në futboll.

Eriksen ka thënë se zemra e tij nuk është “një pengesë” për t’u rikthyer në lojë – dhe në Angli sportistëve u jepet autonomia për të vendosur vetë nëse do të vazhdojnë apo jo në balancën e rrezikut.

Nuk është e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar që Eriksen të luajë me një ICD dhe ai do të bëhet i pari që do të luajë me një të tillë në Premier League.

Përpara se të nënshkruajë për Brentford, Eriksen kishte qenë duke u stërvitur pak përtej kufirit në Zvicrën jugore dhe i rriti përgatitjet e tij për një rikthim javën e kaluar duke u stërvitur me ish-skuadrën e tij Ajax.

Eriksen do të transferohet në Brentford me një lidhje të fortë daneze në klub. Trajneri Thomas Frank dhe bashkëlojtarët te Danimarka, Christian Norgaard dhe Mathias Jensen janë ndër shumë fytyrat e njohura për mesfushorin.

Lojtari do të kthehet në Londër pasi ka kaluar gjashtë vite e gjysmë në Tottenham përpara se të largohet për te Interi në vitin 2020. /Telegrafi/

Të ngjashme