Erdogan dënon me 15 vite burg babin e yllit të NBA

19:49 | 20 Qershor 2018
Arbresh.info

Nuk ndalet persekutimi i regjimit turk karshi familjes së basketbollistit të New York Knicks, Enes Kanter, që është konsideruar nga presidenti Erdogan si armik. Autoritetet turke kanë dënuar Mehmet Kanter, babain e lojtarit që luan në NBA, me 15 vite burg, pasi e konsiderojnë si pjesëmarrës në një grup terrorist.

Për shumë njerëz, ky vendim i gjykatës ka lidhje me polemikat e lindura muajt e fundit mes basketbollistit dhe presidentit Erdogan, regjimi i të cilit është kritikuar nga ylli i NBA-së.

Për momentin, babai i lojtarit nuk ndodhet në Turqi, por sapo të shkelë këmbë mund të përfundojë pas hekurave.

Edhe vetë lojtari Enes Kanter ka muaj që nuk arrin të rikthehet në vendlindje, pasi ndaj tij ka një urdhër-arresti, ndaj familja e tij po e vuan më së shumti këtë situatë.

“Nuk më intereson ajo që do të ndodhë, pasi unë vazhdoj të luftoj për të drejtat e njerëzve dhe lirinë e fjalës. Do të mbroj njerëzit e pafajshëm”, tha Enes Kanter përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”.

Ai u konsiderua i padëshirueshëm dhe fajtor  në Turqi, që kur deklaroi se është përkrahës i Fethullah Gulen, i konsideruar nga Taip Erdogan si organizator i grushtit të shtetit në verën e vitit 2016.

Kujtojmë se një fat të njëjtë e pati edhe futbollisti më i mirë në histori të Turqisë, Hakan Sukur. /IndeksOnline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme