Emery: Respekti për Bayern duhet të jetë i madh, mund të jetë ndeshja më e vështirë e karrierës sime

09:46 | 12 Prill 2022
Artan Maliqi

Trajneri i Villarreal, Unai Emery ka dhënë disa komente para ndeshjes së kthimit ndaj Bayern Munich.

Në kuadër të çerekfinales, Villarreal udhëton në drejtim të ‘Allianz Arena’ për ndeshjen e kthimit ndaj kampionëve të Bundesliga.

Me një rezultat 1:0 në favor të spanjollëve, Emery e di se duhet punë e madhe për të ruajtur epërsinë. Gjithsesi, ai fton që respekti për Bayernin të jetë i madh.

“Respekti për Bayernin duhet të jetë i madh në secilin aspekt. Do të jetë shumë e vështirë dhe ne duhet të dimë se si të reagojmë”, ka thënë Emery, transmeton lajmi.net.

“Do të jetë e komplikuar, ne e dimë se ata dinë të shënojnë shumë gola në shtëpi dhe kjo është normale. Ata kanë respekt për ne, por ata e dinë se nëse luajnë në nivelin më të lartë, ata janë favoritët. Janë optimistë dhe ndihen të fortë në shtëpi. Kjo mund të jetë ndeshja më e vështirë në karrierën time, por jam i bindur se mund të garojmë”, tha mes tjerash trajneri i Villarreal.

Ndeshja mes Bayern Munich dhe Villarreal luhet sonte me fillim nga ora 21:00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme