Ekipi i Kosovës mbërrin në Kinë për Lojërat Olimpike Dimërore 2022

20:45 | 30 Janar 2022
KRG

Ekipi olimpik i Kosovës ka mbërritur në Fshatin Olimpik në Yanging të Kinës, ku është vendosur për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022.

Ekipi i përbërë nga dy skitarët Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri udhëtoi nga Prishtina drejt Pekinit përmes Stambollit në një fluturim maratonik.

Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 4 shkurt.

“Pas një udhëtimi ‘maratonik Prishtinë – Stamboll – Pekin, ekipi olimpik i Kosovës ka arritur në Fshatin Olimpik në Yanqing të Kinës. Ekipi i është nënshtruar procedurave për Covid 19 në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit dhe  në Fshatin Olimpik”, thuhet në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Kryeziu e siguri pjesëmarrjen në Pekini 2022 pas garës kualifikuese në Itali në fillim të janarit, duke u bërë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore.

Ajo do të garojë në sllallom të madh në garën me ski në Pekin.

Albin Tahiri, i cili bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut, në Pekin 2022 do të garojë në katër disiplina të garës me ski.

32-vjeçari do të garojë nën flamurin e Kosovës në katër disiplina të garës me ski: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme