Google ADS

Ejupi: Vokrri dërgoi një shofer në bisedimet për stadiumin

00:27 | 19 Maj 2018
Trina Galanxhi

Remzi Ejupi, kryetar i klubit të Prishtinës në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se në bisedimet për të vendosur nëse ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohej në stadiumin e kryeqytetit, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, dërgoi një shofer.

Firma ndërtuese, Komuna e Prishtinës dhe FFK-ja kishin dhënë sinjale se ndeshja do të zhvillohej në kryeqytet, por sipas Ejupit, vendimi u ndryshua brenda natës.

“Kur një lojtar del kundër klubit që ka bërë shumë për të, të paktën të mos na dërgoj një vozitës [në bisedime]. Vokrri asnjëherë nuk na ka kthyer përgjigje personalisht. Ai që ka bërë më së shumti për ty, të kthehet e kundërta. Nuk është e qartë për këtë luftë kundër Prishtinës”, ka thënë Ejupi për Vokrrin.

“Nuk ishim kundër Vokrrit, por ishim kundër Federatës. Është dashur që kjo çështje të merret më seriozisht. Do të ishte porosi e mirë që spektakli të zhvillohet në Prishtinë dhe jo tifozët e dritës dhe Prishtinës të shkojnë në një stadium që zë vetëm 2 mijë vetë”, ka shtuar ai.

“Kemi biseduar me ndërtuesit, me komunën dhe kemi marr një 75 për qind “po”. Kërkesa jonë ka qenë që tri lojërat e fundit, t’i luajmë me Llapin, Gjilanin dhe në fund me Dritën”, ka thënë Ejupi.

“Ministria vendosi me insistimin e Federatës, ne e morëm ‘Po’-në e Federatës, por vendimi u ndryshua brenda natës me arsyetimin se stadiumi nuk është licencuar. 75 deri në 80 për qind të punëve janë të përfunduara. Edhe punërkryesi donte që ta shihte punën që është bërë”, ka thënë ai.

Në “Interaktiv” Ejupi ka thënë se vetëm pjesa e perëndimore e stadiumit nuk është gati, ndërsa pjesët tjera janë të gatshme për tifozët.

“Veriu, jugu dhe lindja janë të gatshme për tifozët. Perëndimi nuk është gati. Akomodimi i tifozëve ishte shumë më i mirë se në stadiumet tjera. Por tani duhet të jemi të fokusuar dhe shumë shpejt do të ketë nevojë që të bëhet një lojë testuese në stadiumin e Prishtinës”, ka thënë Ejupi.

Kur është pyetur nëse Prishtina ka mundur t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Ejupi ka thënë se në Mitrovicë Prishtinës i janë kërkuar 2 mijë euro për ndeshje.

“Nuk ishte korrekt që ndeshja të luhej në Mitrovicë dhe jo në Pejë kur tash e dy vjet po luanim në Pejë. Ishim fillimisht në Feronikel, tani në Obiliq. Dy mijë euro për një ndeshje ishte e pakapshme për Prishtinën. Në Pejë nuk kemi paguar asgjë”, ka thënë veç të tjerash ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme