Google ADS

Egzon Gjuka e Albina Rugova më të mirët e vitit 2023 në hendboll

21:32 | 22 Janar 2024
D.H

Ceremonia “Laureatët 2023” është mbajtur të hënën mbrëma në Hotel International Prishtina.

Në praninë e drejtuesve sportivë, përfaqësuesve të MKRS-së dhe të KOK-ut, si dhe personaliteteve të shumta të hendbollit, fillimisht me një fjalë rasti është paraqitur presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, përcjell Arbresh.info.

Ai e ka cilësuar vitin 2023 si vit të hendbollit, për shkak të sukseseve të shumta të arritura. Saraçini ka folur edhe për planet e synimet për vitin 2024.

Më pas ka nisur ndarja e mirënjohjeve dhe shpërblimeve.

Hendbollisti më i mirë u shpall Egzon Gjuka, që ka udhëhequr Besa Famgasin drejt titullit të kampionit. Në vjeshtë Gjuka u paraqit për Rahovecin dhe atë me sukses të plotë.

Ndërkohë Albina Rugova u shpall hendbollistja më e mirë e vitit 2023. Rugova e udhëhoqi Istogun drejt tre trofeve, ndërsa është shquar edhe me paraqitje në Kombëtare, njëjtë si Gjuka.

Haris Berisha e Mirela Gjikokaj janë shpallur më të dalluarit e Kombëtareve të Kosovës.

Te hendbollistët, në shtatëshen më të mirë kanë zënë vend: Arbër Curri, Lulzim Shabani, Jon Muqolli, Egzon Gjuka, Rron Ramadani, Arbios Mushkolaj e Enis Kuleta. Shtatëshja e vitit është vendosur me vota të trajnerëve të skuadrave të Superligës.

Rron Ramadani u shpall edhe lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa golashënuesi më i mirë (me 227 gola) ishte Festim Mustafa.

Te hendbollistet shtatëshen më të mirë e përbëjnë: Teninke Kaba, Albina Rugova, Tainara Luna Goncalves, Lorena Matarova, Arona Krasniqi, Natalija Milatoviq, Arlinda Dinarica. Simone Keita është lojtarja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Arjeta Imeraj golashënuesja më e mirë (me 196 gola).

Klubet më të mira janë shpallur Besa Famgas e Istogu, ndërsa trajnerët më të mirë Taib Kabashi e Faruk Shala. Genc dhe Getoar Bujupi janë gjyqtarët më të mirë të vitit 2023.

Gjatë ceremonisë janë ndarë edhe shumë mirënjohje e shpërblime të tjera./Arbresh.info/

Të ngjashme