Edon Zhegrova i ‘tmerron’ mbrojtësit e Stuttgartit

23:43 | 13 Korrik 2019
A. B.

Edon Zhegrova e ka shpërndarë një video në llogarinë e tij në Instagram, ku ai shihet duke u dribluar mbrojtësit e Stuttgartit gjatë një ndeshjeje miqësore të Baselit.

Baseli pësoi disfatë me rezultat 3:2 në ndeshjen miqësore kundër Stuttgartit, e cila u zhvillua sot në stadiumin “St.Jakob-Park”, në kuadër të turneut parasezonal, në përgatitje për sezonin e ri, raporton Gazeta Express.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Edon Zhegrova, ishte titullar në këtë ndeshje dhe përkundër që nuk arriti të shënojë gol, për t’ia siguruar skuadrës së tij fitoren apo barazimin, ai e dëshmoi talentin e tij.

Faqja “Passion for Possession Soccer” e postoi një video të një aksioni të Zhegrovës në këtë ndeshje, duke iu referuar kosovarit si “Messi i ri”. Zhegrova e shpërndau këtë postim edhe në llogarinë e tij në Instagram.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Baselit, Edon Zhegrova, i kishte komentuar më herët vlerësimet e njerëzve që thonë se stili i tij i lojës është i ngjashëm me atë të Lionel Messi. Ai ishte shprehur se nuk pajtohet me këto vlerësime.

“Edhe kur isha i ri, shumë njerëz më thonin se luaj si Lionel Messi. Por, unë nuk mendoj ashtu. Gjithashtu them se nuk luaj si ai. Unë jam Edon Zhegrova, nuk jam Lionel Messi”, është shprehur Zhegrova për bzbasel.ch.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme