Google ADS

E zbulon shoku i ngushtë i Pogbas: Paul donte të zhdukej dhe të linte futbollin

13:04 | 25 Tetor 2022
A. B.

Paul Pogba dyshohet se ishte viktimë e tentativave për rrëmbim dhe zhvatje dhe një nga miqtë e tij më të ngushtë thuhet se u tha hetuesve francezë se mesfushori i Juventusit dëshironte të zhdukej dhe të linte futbollin.

Reprezentuesi francez dyshohet se u përball me një bandë të organizuar në mars kur u kthye në vendlindjen e tij, Lagny-sur-Marne, gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

Ai u tha hetuesve se u tërhoq zvarrë në një apartament ku u akuzua se nuk i kishte ndihmuar financiarisht miqtë e tij që kur u bë yll futbolli.

Anëtarët e bandës thuhet se ishin miq fëmijërie të francezit dhe dyshohet se i kërkuan 13 milionë euro, duke i vjedhur 300 mijë euro dhe një kartë krediti.

Hetuesit dëgjuan Boubacar Camara, një nga miqtë më të ngushtë të Pogba muajin e kaluar, dhe gazeta franceze “Journal Du Dimanche” raporton një pjesë të marrjes në pyetje të tij.

Camara jetoi në Torino me Pogban gjatë sezonit të parë të mesfushorit në Torino në vitin 2012, por më pas u kthye në Francë sepse i lindi djali.

Një ditë pas rrëmbimit të dyshuar, ai foli me një Pogba të tronditur.

“Ai ishte ulur në një shtrat në një hotel në Paris. Ai po qante dhe përpiqej të fliste”, u tha Camara hetuesve, sipas raportimit.

“Ai më tha se një grup personash me maska e kishin rrëmbyer, duke kërkuar 13 milionë euro. Ai ka rrëfyer se donte të zhdukej dhe të mos luante më futboll. Ai kishte frikë për familjen e tij. Tani ai nuk i beson askujt, por unë jam i pafajshëm, një viktimë si ai”.

Raportimet në Francë kanë pohuar se Pogba është nën mbrojtjen e policisë në Torino pas kërcënimeve dhe përpjekjeve për zhvatje në një rast që përfshin edhe vëllain e tij Mathias, i cili është vendosur në paraburgim në Francë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme