Dy gola për dy ndeshje/Sukseset e pandalshme të yllit “Dardan”, Ermal Krasniqi

15:12 | 16 Tetor 2024
L G

Forma e mirë që po kalon tek gjiganti çek, “Sparta Prague”, Ermal Krasniqit i siguroi një vend në listën e përzgjedhësit të kombëtares së Kosovës, nga trajneri, Franco Foda.

Ftesën e trajnerit gjerman, futbollisti kosovar e shpërbleu në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e bërë atë krenarë për  këtë zgjedhje.

26 vjeçari i cili vjen nga Makisheva, realizoi dy gola në dy ndeshjet e muajit tetor që Kosova i luajti ndaj Lituanisë në udhëtim dhe Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri”, raporton Arbresh.info.

Në sfidën e parë në udhëtimin ndaj Lituanisë, Krasniqi hyri si zëvendësues i Florent Muslijajt dhe iu deshën vetëm gjashtë minuta për të shënuar golin e parë në karrierë me kombëtare.

Gol ky, i cili do të ishte vendimtar pastaj në fitoren 2-1 për Kosovën,

Teksa në sfidën e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, Foda i besoi Krasniqit, të cilën e inkuadroi në lojë nga minuta e parë.

Edhe në këtë ndeshje, 26-vjeçari ishte fantastik, duke realizuar golin e tij të dytë për kombëtaren në po aq ndeshje për muajin tetor.

Anësori “Dardan” është vlerësuar me notën 8.1 nga faqja e specializuar SofaScore, teksa vetëm kapiteni, Amir Rrahami ishte më i mirë se ai i cili pati notën 8.4.

Ish-futbollisti i Ballkanit ka të luajtura tetë ndeshje me kombëtaren A , teksa këta ishin golat e parë të realizuar nga ai.

Veçse me “Dardanët”, ai është një ndër lojtarët kryesorë edhe tek skuadra e tij e Spartas, ku ka realizuar tre gola dhe ka dhuruar dy asistime në 16 ndeshjet e para, ku në shumicën e tyre ka qenë si zëvendësues.

Ermal Krasniqi u transferua këtë verë tek Sparta nga Rapidi i Bucurestit, ku pati një sezon fantastik, duke realizuar gjashtë gola e tri asistime.

Krasniqi tani do të kthehet tek Sparta për të vazhduar formën e mirë që e pati të Kosova, për t’u kthyer në Prishtinë gjatë muajit nëntor ku e presin dy sfida vendimtare për rrjedhën e Ligës së Kombeve.

Gjatë muajit nëntor, Krasniqi me bashkëlojtarë do të kërkojnë një fitore të madhe ndaj Rumanisë për të marr lidershipin e grupit 2 të Ligës C të Kombeve./Arbresh.info/ Drilon Halili/

Të ngjashme