Dumoshi: MKRS-ja përkrah në vazhdimësi sportistët e rinjë

15:21 | 20 Janar 2021
Arbresh.info

Në kuadër të mbështetjes së të rinjve që merren me sport, ministrja Vlora Dumoshi, ka takuar sot sportisten e re Elda Zeqiri, kampione e tetëfishtë e Kosovës, në kategori të grupmoshave të ndryshme në Taekwondo.

Taekwondistja Zeqiri e njoftoi ministren Dumoshi për pjesëmarrjen në garat e shumta dhe sukseset që ka korrur ajo brenda dhe jashtë vendit, duke u shpallur kampione në shumë ngjarje sportive, ku mund të veçohen titujt e njëpasnjëshëm në kampionatet e Kosovës në Taekwondo nga viti 2012 deri më 2020 si dhe një titull në Gjermani në garën e Bavaria Open.

Zeqiri pret që institucionet dhe organizatat sportive t’i përkrahin të rinjtë dhe të rejat që merren me sport sepse kanë nevoja të shumta, duke i pasur parasysh edhe pasojat që ka sjellë edhe pandemia.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi e përgëzoi sportisten e re për sukseset dhe fitoret e deritashme që ka arritur. Ajo tha se MKRS-ja në vazhdimësi i ka përkrahur të rinjtë që merren me sport por edhe në fusha të tjera.

“Ne si ministri përpos që i përkrahim organizatat sportive, në mënyrë të drejtpërdrejtë i përkrahim edhe sportistët e rinj nëpërmjet bursave dhe formave të tjera, në bazë të kapaciteteve dhe prioriteteve programore që kemi”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja tha se është e interesit institucional dhe atij shtetëror që të kemi përfaqësim sa më dinjitoz në garat sportive duke treguar për qëllimet e avancimit cilësor dhe masivizimit në sport.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme