Duka: Po presim edhe dy ndeshje për ta vendosur “qershinë mbi tortë”

15:19 | 5 Nëntor 2023
K.B

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur krenar me rezultatet e arritura deri më tani në vitin 2023.

Duka tha se është në pritje të rezultateve të dy ndeshjeve të mbetura për t’u kualifikuar në “EURO 2024”, për ta vendosur “qershinë mbi tortë”.

“Qershia mbi tortë është ajo që është edhe më e prekshme, më e dashur, që mbështesin më shumë të gjithë shqiptarët, janë rezultatet dhe performanca fantastike e ekipit kombëtar, por edhe e ekipeve të tjera kombëtare të përfaqësueseve shqiptare. Performanca kryesisht e ekipit të djemve A dhe rezultateve të saj. Edhe ekipet e tjera kanë bërë rezultate të mira, duke filluar që nga Kombëtarja e madhe e vajzave apo edhe ekipet U-19 dhe U-21”, tha Duka në një intervistë për Klan News.

Ai e cilësoi 2023-tën si një nga më të suksesshmit në historinë e futbollit shqiptar.

“Padyshim që viti 2023 është një nga vitet më të suksesshme të futbollit shqiptar, për të gjitha ngjarjet, zhvillimet, aktivitetet që kanë ndodhur deri më sot. Janë shumë të rëndësishme ato që thatë ju, por më të rëndësishme janë organizimet që ka bërë FSHF në Shqipëri, në disa turne të ekipeve kombëtare të ndryshme, me rreth 10 turne. Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të organizuar në Shqipëri ‘Euro 2025’ për moshat nën 17 vjeç, një aktivitet shumë i rëndësishëm europian, mund të them që është maksimalja që mund të arrijë një vend si Shqipëria, gjë e cila erdhi si rrjedhojë e gjithë këtyre organizimeve, e gjithë kësaj eksperience, e besimit që ka krijuar administrata dhe komuniteti futbollistik shqiptar tek UEFA, për të marrë këtë vendim. Zhvillimet në UEFA, zgjedhja e Presidentit të Federatës si ZëvëndësPresident i UEFA-s”, tha ai.

Shqipëria aktualisht është në vendin e parë me 13 pikë në Grupin E.

Kombëtarja “Kuq e Zi”, më 17 nëntor luan kundër Moldavisë, ndërkaq më 20 nëntor, skuadra e Sylvinhos luan kundër Ishujve Faroe.

Shqipëria është vetëm një hap larg kualifikimit në “EURO 2024”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme