Google ADS

Duka: Larguam Panuccin për të shkundur ekipin në këtë ndeshje

00:23 | 26 Mars 2019
Trina Galanxhi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është dukur shumë më i qetë se në ditët e shkuara, pas fitores kundër Andorrës.

Natyrisht, është një fitore e detyruar, ndaj rivalit më të dobët në grup, por Duka garanton: “Në këtë fushë një ekip do lërë pikë, keni për ta parë. Për fat, nuk na ndodhi ne”.

Ndeshja e parë pas largimit të Panuccit: “Skuadra reagoi mirë, jam i kënaqur. Ndaj e bëmë këtë lëvizje, duke e larguar Panuccin para ndeshjes, për të shkundur disi ekipin”.

Edoardo Reja pretendon se këto ditë mund të bëhet trajner i Shqipërisë, por Duka saktëson: “Takimi në Shkodër, pas ndeshjes së javës së shkuar, ishte i rastësishëm, diskutuam për ndeshjen dhe ai u tregua i sinqertë, nuk i pëlqeu skuadra që pa në fushë. I thashë që kemi emra të mirë, por natyrisht nuk biseduam për stolin. Tani e tutje do të mendojmë për emrin e trajnerit të ri”.

Bulku ishte vetëm për një ndeshje trajner i parë: “Është herët për ta vendosur trajner përfundimtar, mbetem i idesë që trajneri i huaj është prioritet, edhe pse Bulku e Mema kanë bërë një punë të mirë. Trajneri vendas njeh më mirë mentalitetin, në të ardhmen ndoshta do të emërohet trajner vendas, por jo në këtë moment. Nuk është e lehtë të flasim sa do zgjatë kontrata me trajnerin e ri, nuk bëhet asnjëherë një plan afatgjatë, por asnjë trajner nuk ka interes të bisedojë vetëm për 6 muaj, të gjithë duan projekt më afatgjatë”.

Festë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes: “Kishim tension artificial, ishte një ndeshje delikate dhe me shumë presion e përgjegjësi. Andorra prej kohësh po luante e po merrte rezultat të mirë në shtëpi, më vjen mirë që skuadra u soll në mënyrë perfekte”. /albeu.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme