Duele të forta në Superligën e Kosovës në futboll, vëmendja në Podujevë

11:33 | 22 Tetor 2023
D.H

Dy sfida do të luhet sot në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.

Vëmendja kryesore do të jetë në Podujevë, atje ku Llapi është nikoqire e Dritës, në kuadër të xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Kjo sfidë do të luhet me fillim nga ora 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të Podujevës.

Fitorja është shumë e rëndësishme në këtë derbi për secilën skuadër, pasi janë në ndjekje të liderit Ballkanit, i cili ka 23 pikë dhe po prinë në tabelë.

Ndërkohë Llapi është e dyta me 19 pikë, “Intelektualët” gjenden në pozitën e tretë me vetëm një pikë më pak.

Skuadra e Tahir Batatinës në këtë ndeshje hyn pas një fitore shumë të rëndësishme ndaj Lirisë së Prizrenit xhiron e kaluar me rezultat 2-0.

Ndërkohë të besuarit e Akis Vavalis kanë një seri të mirë prej katër fitore radhazi , kurse xhiron e kaluar fituan ndaj Malishevës në udhëtim, me rezultat 3-1.

Dueli tjetër luhet në Malishevë në po të njëjtin orar 13:00,  në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj”.

Malisheva kërkon triumfin ndaj Dukagjinit.

Vendasit kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes ndaj Dritës, ndërkohë që mysafirët pas tre barazimeve radhë, dëshirojnë fitoren.

Për momentin Malisheva gjendet në pozitën e pestë me 12 pikë teksa klinasit gjenden në pozitën e tetë me nëntë pikë të grumbulluara./Arbresh.info/

Të ngjashme