Drita mposhtë Trepçën ’89, fiton Gjilani

18:55 | 14 Qershor 2020
Arbresh Info

Sot (e diele) janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës.

Drita ka mposhtur Trepçën ’89, kurse Gjilani ka arkëtuar tri pikë në udhëtim te Ferizaji, shkruan portali arbresh.info.

Drita arriti ta mposhtë Trepçën ’89 me rezultat 0 – 2, duke u rikthyer në pozitën e parë të tabelës.

Xhevdet Shabani në minutën e 17-të kaloi mysafirët në epërsi, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, rrugën drejt golit e gjeti Kastriot Rexha në minutën e 69-të, kurse në minutën e 81-të Asaren pas dy kartonëve të verdhë u ndëshkua me të kuq.

Pas kësaj fitore, Drita rikthehet në pozitën e parë në tabelë me 49 pikë, kurse Trepça ’89 mbetet në zonën e rrezikshme me 27 pikë.

Nuk ka gabuar as Gjilani, të cilët në udhëtim mposhtën skuadrën e Ferizajit me rezultat 0 – 3.

Qysh në minutën e dytë gjilanasit përmes Prognit kaluan në epërsi, kurse ishte Nikac që në minutën e 31-të dyfishoi rezultatin, rezultat me të cilin përfundoi 45-minutëshi i parë.

Në pjesën e dytë pas një gabimi në mbrojtje, Fiton Hajdari vulosi fitoren në minutën e 52-të.

Pas kësaj fitore Gjilani renditët në pozitën e katër me 45 pikë, derisa Ferizaj mban pozitën e nëntë me 25 pikë./arbresh.info.

Të ngjashme