Drita mposht Suharekën

18:11 | 20 Nëntor 2024
E.G

Drita ka arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

Gjilanasit e kanë mposhtur bindshëm prej 4-2, Suharekën, të mërkurën në ndeshjen e mbetur të javës së tretë.

‘Intelektualët’ e filluan më mirë takimin, duke krijuar rast pas rasti, teksa u shënua vetëm një gol në 45 minutat e parë.

Arb Manaj realizoi pas asistimit të Blerim Krasniqit, për 1:0 në minutën e 36-të.

Drita edhe në fraksionin e dytë të kësaj sfidë, u shfaq ekip më i mirë duke shënuar edhe tri gola, derisa pësoi dy gola.

Fillimisht Blerim Krasniqi e dyfishoi rezultatin në minutën e 49-të, por Liridon Fetahaj e ngushtoi në 2:1 pesë minuta më vonë.

Albert Dabiqaj u kujdes ta rikthente epërsinë prej dy golave të Dritës në minutën e 57-të, me Besnik Krasniqin në rolin e asistuesit.

Blerim Krasniqi shënoi edhe golin e dytë personal, për rezultatin 4:1 në minutën e 63-të.

Suhareka deri në fund krejt çfarë bëri ishte një gol nga Alden Skrijelj për rezultatin përfundimtar 4:2.

Pas kësaj fitore, barazohet me pikë me liderin Ballkanin, por gjilanasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, kurse, Suhareka mbetet në vendin e pestë me 18 pikë/rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme