Google ADS

Drita marshon drejt titullit, e mposht Llapin në derbin e përshkruar me shumë incidente

18:20 | 22 Prill 2018
Arbresh.info

Drita ka arritur të arkëtojë tre pikë shumë të rëndësishme në udhëtim te Llapi.

Ndeshja e vlefshme për xhiron e 28’ të Vala Superligës së Kosovës, mblodhi mijëra tifozë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku Drita mposhti 1:3 Llapin duke e përmbysur rezultatin në një ndeshje të përshkruar me shumë incidente.

Pak para fillimit të këtij derbi, në media u publikua një lajm ku pretendohej se Llapi do t’ia lëshonte Dritës fitoren për ta mbajtur tre pikë larg Prishtinës në garën për titull.

Ky lajm bëri që i gjithë fokusi i sportdashësve sot të jetë në Poduejvë.

Llapi e nisi mirë takimin kur shënoi për 1:0 në minutën e 8’ përmes Mirlind Dakut.

Në minutën e 39’, Drita barazoi me anë të Kastriot Rexhës, që kishte ditën e tij sot.

Pikërisht Rexha shënoi në minutën e 63’ për të përmbysur rezultatin në 1:2. Ky gol solli incidentet e para në këtë sfidë, me tifozët vendas që ndërprenë ndeshjen duke hedhur gjësende në fushë.

Pas ndërprerjes prej pesë minutave, vazhdoi ndeshja.

Rexha, në minutën e 70’ kompletoi hattrikun dhe shënoi golin e tretë për Dritën.

Këtë gol nuk e kapërdinë tifozët e Llapit, që mësynë fushën për të ndërprerë ndeshjen, e duke ofenduar lojtarët e skuadrës së tyre.

Pas kësaj, gjyqtari Nuza urdhëroi zbrazjen e stadiumit ku gjendeshin tifozët e Llapit, dhe pas largimit të tyre vazhdoi ndeshja, por rezultati mbeti i pandryshuar. Drita kthehet me pikë të plota nga udhëtimi që parashikohej si i vështirë në Podujevë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme