Google ADS

Drejtuesit e KOK-ut pritën sekretarin e përgjithshëm të AIPS-ës, Jura Ozmec

10:25 | 16 Dhjetor 2021
Lorik Gerbeshi

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot sekretarin e përgjithshëm të Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportivë (AIPS), Jura Ozmec, i cili njëherit është edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kroacisë dhe kryeredaktor i televizionit të Komitetit Olimpik të Kroacisë.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës (SHGSK), kryetari Edmond Thaçi, sekretari i përgjithshëm, Artan Muhaxhiri, dhe anëtari i Bordit, Ejup Llumnica.

Ozmec ndodhet në Kosovë për konferencën ndërkombëtare “Sporti dhe Media”, e cila organizohet sot nga KOK-u dhe SHGSK.

Presidenti Krasniqi, duke e falënderuar sekretarin e përgjithshëm, Ozmec, për pranimin e ftesës për të qenë panelist në këtë konferencë, e ka njoftuar me sfidat dhe sukseset e Komitetit Olimpik të Kosovës, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike, të fituara nga në Tokio 2020 nga xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Presidenti Krasniqi ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë që ka KOK-u, si me SHGSK-në, ashtu edhe me gjithë komunitetin e gazetarëve në vend, për të cilët tha se janë krahu i djathtë i aktiviteteve të KOK-ut dhe federatave sportive.

Nga ana e tij, Jura Ozmec, ka falënderuar drejtuesit e KOK-ut për pritjen e ngrohtë, derisa ka theksuar se përvojat e tij shumëvjeçare si në gazetari sportive ashtu edhe në Komitetin Olimpik të Kroacisë do t’i bartë edhe tek ne.

Për rëndësinë që ka për komunitetin e gazetarëve sportivë në Kosovë ardhja e Ozmec në Kosovë, ka folur edhe kryetari i SHGSK, Edmond Thaçi.

Konferenca e sotme “Sporti dhe Media”, mbahet në Hotel Swiss Diamond dhe nis në ora 13:00./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme