Drejtuesit e KOK-ut, KO të Hungarisë dhe Shqipërisë, priten nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

20:12 | 19 Nëntor 2021
Lorik Gerbeshi

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, bashkë me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Hungarisë, presidentin Krisztian Kulcsar dhe sekretarin e përgjithshëm, Balint Vekassy, si dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Shqipërisë, presidentin Fidel Ylli dhe sekretarin e përgjithshëm, Gerti Shima, janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Sportit, Evi Kushi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Velijaj.

Kryeministri Rama, ministrja Kushi dhe kryetari Velijaj, duke iu uruar mirëseardhje KOK-ut dhe KOH-it, në vizitën e tyre dy ditëshe në Tiranë, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin tre palësh të të tria Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Personalitetet e larta shqiptare kanë shfrytëzuar rastin të urojnë drejtuesit e KOK-ut, për sukseset e arritura në Lojërat Olimpike Tokio 2020, me theks të veçantë dy medaljet e arta olimpike.

Në fund të takimeve janë shkëmbyer dhurata simbolike, ndërsa presidenti Krasniqi, në shenjë respekti dhe mirënjohje për mikpritjen, u ka ndarë mikpritësve figurën “Vrapuesja Ilire”.

/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme