Dramë e madhe, Trepça fiton derbin ndaj Sigal Prishtinës

20:00 | 18 Shkurt 2022
Lorik Gerbeshi

Një super përballje e jashtëzakonshme është zhvilluar mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës në ‘Minatori’, ku pas vazhdimeve fituan mitrovicasit me rezultat 94:90 (28:25, 19:17, 16:14, 17:24, 14:10), në kuadër të javës së 20-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën më mirë me seri 8:2, por më pas rikthehen shpejt prishtinasit, ku u zhvillua lojë e baraspeshuar, megjithatë, në fund të çerekut të parë shkëputen ‘Xehetarët’ 24:16, kurse bardhekaltrit u rikthyen sërish, ndërsa kjo pjesë përfundoi 28:25. Periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, ndërsa epërsia më e lartë u takoi mitrovicasve, nëntë pikë, 39:30, ndërsa pjesa e parë përfundoi 47:42.

Adhuruesit e basketbollit kishin mundësi të shohin një përballje shumë interesante në periodën e tretë, ku u luftua për çdo top dhe atmosfera në ‘Minatori’ ishte e jashtëzakonshme. Për një nuancë ‘Xehetarët’ ishin më të mirë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:56. Kryeqytetasit nuk dorëzohen për të barazuar shifrat në 65:65 dhe duke e bërë sfidën dramatike. Kjo edhe ndodhi, pasi Burke shënoi në sekondat e fundit për të barazuar rezultatin në 80:80, duke shkuar në vazhdime. Ai më herët shënoi edhe tri pikë, duke qenë më meritori te Prishtina, që shkuan në vazhdime. Edhe në vazhdime u zhvillua ndeshje shumë interesante. Prishtinasit kishin katër pikë epërsi, 83:87, por nuk e ruajtën dhe vendasit të përkrahur nga tifozë në palestër arritën rikthimin e madh, duke triumfuar me shifrat 94:90.

Te mitrovicasit u dalluan Drilon Hajrizi me 21 pikë, tetë kërcime e nëntë asistime, Amin Hot me 16 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, Corban Collins me 19 pikë dhe Andrew Gordon me 15 pikë e dhjetë kërcime, kurse te prishtinasit u dalluan Kenny Brown me 29 pikë dhe Dachon Burke me 16 pikë.

Trepça ka 14 fitore dhe gjashtë humbje, kurse Sigal Prishtina ka dhjetë fitore dhe dhjetë humbje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme