Dortmundi ‘vishet’ kuqezi/ Tifozët shqiptarë nisin festën

20:48 | 15 Qershor 2024
KRG

Mijëra shqiptarë ndodhen sot në Dortmund në mbështetje të Kombëtares në sfidën me Italinë në Euro 2024.

Dortmundi sot është veshur kuq e zi, ngjyrat e flamurit kombëtar, ndërsa ia kanë marrë valles me veshje popullore në rrugët e qyteti gjerman.

Kjo është përballja e parë e Shqipërisë në Euro 2024, ku prej orës 21:00 Shqipëria e Sylvinhos do të nisë rrugëtimin në Kampionatin Europian, kompeticioin më madhor futbollistik në kontinent, aty ku kuqezinjtë përfaqësohen për herë të dytë në histori.

Një rrugëtim që nuk kishte si të niste më bukur, përballë Italisë fqinje, që për më tepër shkon në Gjermani me kurorën e kampionit mbi kokë dhe me misionin për ta mbrojtur atë sërish, teksa pengesa e parë do të jetë pikërisht Shqipëria e Sylvinhos.

Festa kuqezi, e nisur që në muajin nëntor kur u sigurua kualifikimi, është zhvendosur tashmë në Gjermani, me rrugët e Dortmundit dhe jo vetëm, të mbushura me shqiptarë që kanë vërshuar nga të gjithë anët e globit, për të qenë aty, në mbështetje të kombëtares tonë.

Entuziazëm I dukshëm edhe te të besuarit e Sylvinhos, që prej më shumë se dy javësh vijojnë përgatitjet për të bërë një përfaqësim sa më dinjitoz dhe për të vijuar sa më gjatë aventurën në Gjermani 2024.

Për sfidën e mbrëmjes trajneri Brazilian ka ende dilema mbi skemën dhe formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë, diçka që e pranoi edhe vetë në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes.

Dilema e parë lidhet me rreshtimin, pasi krahas skemës 4-2-3-1 të zakonshme, trajneri Brazilian joshet edhe nga ajo 4-3-3, që do të sillte aktivizimin e një mesfushori më shumë dhe uljen në stol të një sulmuesi, për më shumë ekuilibër.

Në portë ka gjithashtu dilema, teksa Berisha duket më i avantazhuar, por vetëm në fund do të mësohet se kush e ka fituar balotazhin. Është rritur ndjeshëm në hierarki edhe Arlind Ajeti, i cili po garon fort për një vend në formacion me Ardjan Ismajlin, teksa vetëm njëri prej tyre do të zbresë në fushë nga fillimi në krah të Gjimshitit.

Në krahët e mbrojtjes nuk ka dilema, me Hysajn e Mitajn të konfirmuar titullarë, ashtu si edhe Asllanin e Ramadanin në mesfushë dhe Bajramin, Asanin e Seferin që do të lëvizin pas shpinës së Brojës.

E nëse Sylvinho zgjidh të përdorë rreshtimin 4-3-3, atëherë do të jetë Seferi ai që do të akomodohet në pankinë, për t’i lënë vendin e titullarit Qazim Laçit, me këtë të fundit që do të bashkohet me Asllanin e Ramadanin për të formuar treshen e mesfushës./TCh

Të ngjashme