Google ADS

Dita e katërt, rrëfehet trajneri dhe lojtarët e Kosovës

16:23 | 12 Nëntor 2017
Arbresh.info

Me stërvitjen e katërt në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ka përfunduar edhe përgatitja katërditore e Përfaqësueses A të Kosovës para ndeshjes miqësore kundër Letonisë, që do të zhvillohet nesër më 13 nëntor në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë në orën 19:30, njofton FFK e përcjellë arbresh.info.

Përgjatë këtyre katër ditëve, trajneri Muharrem Sahiti bashkë me shtabin teknik kryesisht u përqendruan në lojën sulmuese si dhe presingun ndaj kundërshtarit si dy armë të fuqishme për të arritur te suksesi. Gjatë këtyre ditëve, mbretëroi një atmosferë e jashtëzakonshme dhe zell për punë si dhe një dëshirë dhe premtim për fitore nga të gjithë me një kërkesë që të kenë një përkrahje sa më të madhe të shikuesve në veçanti të adhuruesve “Dardanët”. Para ndeshjes së nesërme trajneri Muharrem Sahiti dhe disa nga futbollistët deklaruan:

Muharrem Sahiti, trajner

Kemi punuar mjaft në këto katër ditë. Brenda grupit kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë. Po vërehet një dëshirë e madhe për fitore. Është një moment i veçantë për shumicën e futbollistëve, të cilët për herë të parë do të luajnë para shikuesve në Kosovë dhe kjo na bën edhe më tepër përgjegjës që të angazhohemi maksimalisht për një rezultat të mirë që shpresojë të mos mungojë. Besojë që stadiumi “Adem Jashari” do të jetë për plotë me adhurues që do të jenë në përkrahje të Kombëtares dhe në fund të mos ndahen të zhgënjyer,

Valon Berisha, futbollist

Stërvitjet kanë kaluar mirë. Ma merr mendja se jemi përgatitur mirë. Atmosfera është e mirë dhe besoj se do të kemi shumë shikues që do të na përkrahin në një fitore para popullit të Kosovës.

Besart Halimi, futbollist

Jemi përgatitur mirë, si grup kemi një harmoni të madhe dhe të gjithë synojmë dhe besojmë në një fitore për popullin  e Kosovës që shumë e do lojën e futbollit.

Faton Maloku, portier

Për katër ditë jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje. Do të japim maksimumin dhe besojë shumë në fitore dhe do të i gëzojmë të gjithë që presin një fitore të kamotshme të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme