Dhjetë fitore radhazi nga Arsenali, mposhtë me përmbysje Leicesterin

22:53 | 22 Tetor 2018
Arbresh Info

“Topçinjtë” kanë regjistruar mbrëmjen e sotme (e hënë) fitoren e dhjetë radhazi brenda të gjitha kompeticioneve.

Arsenali ka mposhtur me rezultat 3 me 1 skuadrën e Leicester Cityt në ndeshjen si nikoqir në Emirates në kuadër të xhiros së nëntë në Premierë Ligë, shkruan portali arbresh.info.

Skuadra nën udhëheqjen e trajnerit të ri Unai Emery, i cili mori detyrën gjatë verës si një zëvendësues i legjendës franceze Arsene Wenger, ka regjistruar sonte fitoren e dhjetë radhazi brenda të gjitha kompeticioneve dhe të shtatën në kampionatin anglez.

Mysafirët e nisën më mirë takimin e sotëm me kërcënime të vazhdueshme ndaj zonës së “Topçinjve”, madje arritën edhe të realizonin për 0 me 1 derisa po zhvillohej minuta e 31′ e ndeshjes. Një goditje nga Benjamin Chilwell e devijuar nga mbrojtësi Hector Bellerin shpërqendroi portierin gjerman Bernd Leno dhe Leicester City kaloi kështu në avantazh.

Mirëpo, nikoqirët arritën të barazonin rezultatin përmes Mesut Ozilit pas disa kombinimeve mjaftë të mira në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë duke shënuar për 1 me 1.

Gjiganti anglez vazhdoi me lojë të mirë edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes dhe zëvendësimit që bëri Unai Emery pas një ore lojë në Emirates rezultuan të jenë vendimtare.

Sulmuesi Pierre Emeric Aubemeyang, i cili u inkuadrua në fushë minutën e 61′, përmbysi rezultatin duke shënuar për 2 me 1 me lehtësi pas një asistimit të bukur nga Hector Bellerin. Reprezentuesi gabonez gjeti portën sërish duke shënuar golin e dytë personal për 3 me 1 vetëm tre minuta më vonë dhe asistues i këtij goli ishte Ozil.

Nikoqirët kishin raste të mira edhe në vazhdim, vlen të përmenden dy raste nga sulmuesi qendror Alexandre Lacazette që ishte i pafat sonte.

Me vetëm dy pikë më pak se lideri i tabelës – Manchester City, Arsenali vazhdon qëndrimin në pozitën e katërt me 11 pikë, aq sa ka edhe Chelsea në pozitën e tretë dhe Tottenhami në pozitën e pestë, ndërsa Leicester City qëndron në mes të tabelës në pozitën e nëntë me 12 pikë./arbresh.info/

Shikoni të gjitha golat:

Të ngjashme