Dënohet me dy muaj burg personi që u prezantua si lojtar i PSG-së për ta mashtruar hotelin

21:35 | 3 Maj 2022
A. B.

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Francë, ku një tifoz që ka marrë pjesë në një ndeshje të kupës së të rinjve ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Club Athletic Lisieux Pays d’Auge, është dënuar me dy muaj burg, pasi është shtirur si lojtar i klubit kryeqytetas.

Ouest-France ka raportuar se një 28-vjeçar është vënë prapa grilave, meqë është përpjekur ta shfaqë veten si futbollist profesionist.

Vendimi është dhënë nga gjykata penale e Lisieux (Calvados) më 28 prill, me një episod të çuditshëm që u mbyll nga autoritetet përkatëse.

Si ka rrjedhur ngjarja

Në dhjetor të vitit 2021, personi në fjalë u paraqit në Coupe Gambardella në ndeshjen ndërmjet Lisieux dhe PSG.

Pasi vendosi ta bënte atë udhëtim, i doli mundësia për të kaluar dy net në një hotel bashkie të Normandisë. Problemi ishte se personi nuk donte të paguante dhe filloi të krijonte një mashtrim të përgatitur.

Kur u largua nga institucioni në fjalë, mashkulli që thuhet se tashmë ka 12 dënime ligjore në emrin e tij, e informoi stafin se ishte një lojtar i PSG-së dhe se ata duhet të kontaktojnë agjentin e tij në mënyrë që të zgjidhet fatura.

Pasi u bë e qartë se kishte dhënë një numër të rremë dhe nuk ishte ai që thoshte se ishte, hoteli bëri menjëherë një ankesë për dëmshpërblim prej 227 euro e 40 centë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme