Deklaratë interesante e trajnerit të Dinamos për Skënderbeun

20:44 | 16 Gusht 2017
Arbresh.info

Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvitanoviç, nuk e cilëson të lehtë shortin e Ligës së Europës përballë Skënderbeut.

Përkundrazi, trajneri i skuadrës kroate i është kundërvënë hapur mediave për mënyrën se si kanë përshkruar skuadrën shqiptare.

Në konferencën e sotme për shtyp, ai fillimisht ka qartësuar se sulmuesi Sudani nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e nesërme. “Jemi më të dobësuar nga mungesa e Sudanit, çdo lojtar është i pakënaqur nëse nuk luan, por nuk do të rrezikojmë. Kushdo që do të zbresë në fushë, do të jetë 100% gati dhe i shëndetshëm. Objektivi ynë është i qartë, duam të bëjmë më të mirën, të tregohemi një skuadër dhe të luajmë futboll.

Mendojmë për lojën tonë dhe atë që kërkohet nga ne, e respektojmë Skënderbeun, ata mundën Mlada Boleslav, janë një ekipi me të vërtetë i mirë, kanë individë të mirë dhe nuk do të jetë e lehtë. Unë kam besim te ne dhe duam të gëzojmë tifozët tanë”, tha Cvitanoviç.

I pyetur rreth Skënderbeut dhe njohurive që kishte për ekipin shqiptar, ai filloi menjëherë të shprehte pakënaqësinë ndaj mediave kroate që kishin nënvlerësuar korçarët.

“Si do të luajnë shqiptarët? Duhet t’i pyesni ata. Skënderbeu ka lojtarë krahu të njohur, mesfushorë të njohur, ka individë të mirë, por dua të mendoj vetëm për veten tonë dhe lojën tonë, me mendime të zgjuara dhe përgjigje inteligjente, që tregojnë cilësinë tonë jo vetëm në fushën e lojës,  por edhe jashtë saj.

Ata luajnë me klasiken 4-3-3, me shumë sulme të orientuara drejt krahëve, kanë futbollistë të shkëlqyer në krahë të cilët janë të mirë në situata një kundër një, kanë automatizmat e tyre në sulm, janë një skuadër e qëndrueshme prej shumë kohësh dhe përveç të tjerave, kanë eliminuar Mlada Boleslav.

Unë jam pak i mërzitur nga opinionet tuaja pas shortit, sikur kualifikimi do të ishte i lehtë dhe ata nuk ia kanë idenë futbollit. Nuk është as sportive dhe ajo normale ta mendosh këtë gjë. Por e përsërit, duhet të mendojmë për veten, gjithçka do të varet nga ne”, tha Cvitanoviç para mediave kroate.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme