Debutoi me gol me U-21, Xhakomo Vrioni: E ardhmja e kombëtares varet nga të gjithë shqiptarët!

22:41 | 12 Shtator 2018
Arbresh.info

“Çfarë lojtari i mirë”-shkruante Tuttomercatoweb për sulmuesin e ri të Shqipërisë U-21, Xhakomo Vrioni.

Talenti, që luajti ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi kundër Italisë, në fakt mund edhe të ishte në krahun e kundërt, në sfidën e së martës në Kaljari.

Ai është pak i njohur për ne shqiptarët, madje sapo ka marrë zyrtarisht dhe pasaportën shqiptare. Xhakomo Vrioni është një i ri i talentuar, me rrënjë shqiptare por i lindur në Itali.

Ai është produkt i akademisë së Sampdorias, që tashmë e ka huazuar te Venezia në Serinë B, ku do të luajë këtë sezon Xhakomo. Futbollisti i talentuar ka provuar të luajë edhe për ekipet zinxhir të Italisë, derisa u zbulua nga skautët e ekipeve kombëtare të Shqipërisë, të cilët nuk hezituan dy herë për t`a ftuar të luajë për fanellën kuqezi.

As Xhakomo nuk është menduar dy herë, për të hequr fanellën e “kaltër” të Italisë dhe veshur atë të Shqipërisë, vendit të tij të orgjinës.

Debutimi në miqësoren ndaj Italisë, ishte i shkëlqyer në aspektin personal sepse shënoi golin e moralit për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi, ndërsa ndezi zemrat e shumë shqiptarëve, se e ardhmja e sulmit kuqezi do të ketë emrin e tij. Telesport kontaktoi dhe zhvilloi një intervistë me Xhakomo Vrionin, që flet thjesht e pastër, madje si kampion i vërtetë, kur thotë se:

“E ardhmja e Shqipërisë varet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!”.

–Xhakomo ju luajtët dje me U-21 e Shqipërisë në ndeshjen miqësore ndaj Italisë. Mund të na tregosh emocionet që përjetove në debutim?

-Ishte një emocion i papërshkruar në një ndeshje shumë të veçantë për mua. Jam shumë i gëzuar për debutimin me bluzën kuqezi edhe për golin e parë. Më vjen keq për rezultatin por kemi demonstruar që jemi një ekip që mund të bëjmë gjëra të rëndësishme.

–Paraqitja juaj ndaj Italisë është vlerësuar shumë në Shqipëri, si ndiheni për këtë?

-Jam shumë i lumtur për këtë gjë dhe do përpiqem të përmirësohem çdo herë të bëj më të mirën.

-Ju keni luajtur dhe për U-19 e Italisë, mund të më tregoni pse vendosët të luani për Shqipërinë?

-Shqipëria më ka kërkuar shumë dhe unë isha shumë i lumtur për këtë. Nuk u mendova shumë për të pranuar.

-Mendoni se ky brez futbollistësh do të shkëlqej?

-Na duhet të punojmë shumë me profesionalizëm. Duhet çdo ditë të përmirësojmë të gjithë bashkë.

-Në Itali ka shumë të rinj shqiptar që luajnë futboll. Mendoni se e ardhmja e Kombëtares varet nga ecuria juaj?

-E ardhmja e Kombëtares varet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen

-Xhakomo, ndërkohë ju luani për Venezian në Serinë B. Mund të na tregoni cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

-Synime e mija janë të përmirësohem çdo ditë me sakrifica, përulësi dhe profesionalistet për të arritur një ditë të luaj në Serinë A.

-Rikthehemi sërish te kombëtarja. Si ju kan pritur shokët?

-Më kanë pritur direkt shumë mirë.

-E kishe menduar që ndeshja jote e parë me Kombëtaren do të shkonte kaq mirë në aspektin personal?

-Të them të vërtetën jo. Por kisha dëshirën që të shkonte mirë sepse isha shumë i përqëndruar dhe i motivuar.

-Golin e festove me Shqiponjë, kujt ja dedikoni?

-Golin ia dedikoj familjes time që ka sakrifikuar dhe sakrifikon çdo ditë për mua.

-Pas kësaj paraqitje mendon ftesë në Kombëtare nga Panucci?

-Nuk e di por do të jetë një ëndërr e madhe për mua. /telesport.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme