FSHF-ja ka organizuar sot një ceremoni lamtumire për ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Giani De Biasi, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i kuqezinjve pas 5 viteve e gjysmë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij deklaroi se Komiteti Ekzekutiv do të propozojë që De Biasi të bëhet anëtar nderi Federatës.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka dekoruar trajnerin Xhani De Biasi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për kontributin e tij në futbollin shqiptar dhe arritjet në drejtimin e kombëtares kuqezi.
Gjatë ceremonisë mbajtën nga një fjalë të shkurtër edhe ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Kutilio, si dhe futbollisti i kombëtares Andi Lila. Në fund trajneri De Biazi lexoi një letër përmbledhëse dhe falënderuese për aventurën e tij me kombëtaren shqiptare.
DUKA
“Faleminderit shqiptarit Gani Abazi. Vendimi për largimin nuk ishte i yni, por i tiji. E kemi nderuar me gjithçka kemi mundur. Në asamblenë e radhës, Komiteti Ekzekutiv do të propozojë që ai të bëhet anëtar nderi i Federatës.”
Ambasadori italian
“Faleminderit Xhanit për përfaqësimin që i ka bërë Italisë. Shpresoj që në tetor kundër Italisë, Shqipëria të mos tregohet shumë e keqe me ne.”
Lila
“Për të treguar për trajnerin duhet një natë dimri, por dua të tregoj vetëm dy gjëra personale.
E para, vjet në Francë në ndeshjen ndaj Zvicrës trajneri nuk më futi fare. Në ndeshjen e dytë përpara stërvitjeje, dy ditë para, trajneri bëri formacionin dhe ndau jelekët. Aty e kuptova që do isha në formacion dhe për herë të parë në jetën time doja të puthja një burrë.
E dyta, para ndeshjes me Izraelin, ose pas Luksemburgut, situata ishte shumë e vështirë, trajneri nuk qeshte fare, dhe po mendoja të bëja diçka për ta ç’tensionuar gjendjen. Në një nga mbledhjet trajneri na jep një fletë dhe na tha të bënim formacionin dhe taktikën.
Thashë me vetë: ‘Tani më erdhi në dorë, ose të bëj diçka mirë, ose trajneri të më thotë merr çantën edhe ik.’ Pasi bëra formacionin, veten time e vura në kllapa në kuptimin që ndaç të më fuste ndaç jo, dhe poshtë shkruajta emër mbiemër dhe futa firmën time. Në stërvitja trajnerin e pashë që po qeshte dhe tha: ‘Dy gjëra më pëlqyen: Një lojtar e bëri formacionin me 12 vetë dhe unë që firmosa poshtë.’ Situata sikur u rregullua disi.
Mister, ti po ikën por do jesh gjithnjë në zemrën e gjithë shqiptarëve dhe timen personalisht.”
De Biasi
“Koha kalon shumë shpejt dhe pa kuptuar shpejtësinë e saj, teksa ne e perceptojmë në mënyra të ndryshme sipas kapaciteteve tona për ta jetuar të tashmen që kemi dhe pikërisht për këtë motiv koha për mua fluturoi. Kam jetuar dhe përjetuar këto 5 vite e gjysme në Shqipëri në mënyrë shumë intensive, i shoqëruar nga dashuria dhe shtysa e shumë tifozëve tanë të cilët gjithmonë na kanë mbështetur dhe kanë gëzuar me ne rezultatet e arritura por edhe impenjimet tona si skuadër në fushë.
E kujtoj sërish tani si të ishte dje ditën time të parë në Tiranë. Një natë me shi pas mbërritjes nga Milano, akomodimi në hotel dhe një dite më pas firma në kontratë dhe prezantimi përpara mediave. Sikundër shpesh më ndodh kur kam ndryshuar skuadër, ndjeja brenda vetes ankthin, kuriozitetin dhe dëshirën e madhe të vënies menjëherë në provë të një sfide e gjitha për t’u deshifruar.
Kanë kaluar 2038 ditë që nga ai moment të cilat i kam jetuar me shumë pasion, në të cilat kam qënë protagonist në 52 ndeshje në drejtimin e ekipit kombëtar. Një numër i mjaftueshëm në të cilin shumë lojtarë janë alternuar gjatë këtyre viteve për të mbrojtur ngjyrat e flamurin tonë dhe në të cilat na është dashur të bëjmë një punë të madhe për rinovimin e skuadrës, si në aspektin e konturimit taktik, por edhe në atë të mentalitetit.
Në dy vitet e para të eliminatoreve të Botërorit kërkuam vazhdimisht përmirësimin e cilësisë duke u munduar njëkohësisht të ruanim kontrollin e pikëve. Sot e them me plot gojë që lëvizja deçizive për atë që arritëm ishte ajo e presidentit Duka, i cili pati vullnetin t’i japë vazhdimësi projektit të Shqipërisë duke më rikonfirmuar në krye të kombëtares shqiptare për dy-vjeçarin e radhës.
Pjesën tjetër e dini të gjithë, një kualifikim historik në Europian, një vend i tretë në kualifikueset aktuale pas Spanjës dhe Italisë. Kjo skuadër ka përpara një të ardhme shumë interesante nëse do arrijë të luajë me entuziazmin dhe kujdesin e veçantë, veti që e kanë karakterizuar në të kaluarën e afërt. Besoj që diferenca do të jetë kapaciteti për t’u përballur me sfida të reja, me motivime të rinovuara pa u vetëkënaqur me rezultatet e arritura.
Ju lutem kujtoni gjithmonë fjalët e Heroit Kombëtar, Skënderbeut: ‘Nëse qëndroni të bashkuar, askush nuk do t’ju mundë!’
Jam këtu sot për t’ju përshëndetur dhe për t’ju thënë faleminderit të gjithëve. Faleminderit atyre që ndanë me mua gëzimin, por mbi të gjitha që më kanë qëndruar afër në momente të vështira. Faleminderit atyre që më kanë ndihmuar të përjetoj këtë eksperiencë profesionale, por edhe shumë humane dhe të paharrueshme.
Asgjë nuk përfundon, gjithçka transformohet dhe evoluon. Kushedi se çfarë na jep koha, ndoshta në të ardhmen rrugët e mia me ato të ekipit tonë kombëtar dhe kësaj toke të mrekullueshme mund të kryqëzohen sërish.
Faleminderit!”
/PanoramaSport/
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...