Dardanet nesër përballen me Poloninë, shpresojnë në rezultat pozitiv

23:11 | 24 Nëntor 2021
KRG

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para përballjes me Poloninë, që zhvillohet të enjten në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo ndeshja i takon kualifikimeve për Kampionatin botëror 2023. Në katër ndeshjet e deritashme Dardanet kanë realizuar një fitore, një barazim dhe kanë pësuar dy humbje.

Polonia aktualisht është e dyta në renditje, me dy pikë më pak se kryesuesja e grupit Norvegjia.

Në kampin e Dardaneve janë të vetëdijshme për forcën e kundërshtareve të nesërme, por kanë besim se mund të nxjerrin rezultat pozitiv.

“Realisht grupi është i fortë, pasi edhe Polonia i bashkohet ekipeve të forta si Norvegjia e Belgjika. Megjithatë, jemi munduar që ta studiojmë kundërshtarin maksimalisht dhe besoj se nesër do t’i pasqyrojmë vlerat që i kemi si ekip. Normalisht se do të jetë jetë ndeshje e vështirë, por duhet të kemi besim”, ka thënë përzgjedhësja Afërdita Fazlija.

Ndërkaq, futbollistja Erleta Memeti premtoi se do të japin maksimumin si skuadër pasi janë përgatitur maksimalisht dhe do të kërkojnë fitore kundër Polonisë.

“E dimë që Polonia ka një kombëtare të fortë dhe ne jemi grumbulluar që dy ditë dhe kemi provuar që ato gabime që i kemi bërë me kundërshtarët e tjerë t’i evitojmë. Kemi parë disa lojë të Polonisë, e dimë që është ekip i mirë por asnjëherë nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Memeti.

Futbollistja tjetër Edona Kryeziu theksoi se nuk ia kanë frikën Polonisë dhe hyjnë të motivuara për sukses.

“Ne e njohim Poloninë, kemi luajtur më parë, por ne si kombëtare jemi rritur. Kemi luajtur lojëra bashkë dhe kemi gjetur eksperiencë, andaj nuk ia kemi frikën Polonisë dhe besoj se do të korrim sukses”, tha Kryeziu.

Përveç ndeshjes me Poloninë, Kosova do ta zhvillojë edhe një ndeshje tjetër në kuadër të Grupit F, ku më 30 nëntor, në Prishtinë, do të takohet me Shqipërinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme