Google ADS

Dal Pino: Njerëzit e vaksinuar të lejohen nëpër stadiume

22:43 | 2 Janar 2021
Arditë Shkodra

Presidenti i Lega Serie A, Paolo Dal Pino sugjeron që Qeveria Italiane të lejojë ata që kanë marrë vaksinën kundër Covid-19 të ndjekin ndeshjet nëpër stadiume.

Paolo Dal Pino ka ardhur me një propozim interesant sa i përket futbollit, ai propozon që njerëzin që marrin vaksinën të lejohen nëpër stadiume.

Faza e parë e vaksinimit ka filluar në Itali dhe Dal Pino tashmë po shqyrton ndikimin e mundshëm në Futboll.

‘Mendoj se duhet të jemi në gjendje të pranojmë qytetarë të vaksinuar në stadiume’, deklaroi ai për ‘Radio Rai 1’, transmeton lajmi.net.

‘Ne i paraqitëm një plan 300 faqesh Qeverisë se si mund t’i mirëpresim tifozët përsëri në stadium me siguri, me një kapacitet të reduktuar prej 20-30 përqind, por nuk morëm një përgjigje të vetme. As edhe një telefonatë. Kështu që shpresoj që të paktën ata që janë të vaksinuar të mund të lejohen të hyjnë’, shtoi ai.

Ka pasur gjithashtu sugjerime që të gjithë lojtarët profesionistë duhet të marrin vaksinën, e cila më pas do t’i lejonte ata të luanin rregullisht pa pasur nevojë për testime të përsëritura.

‘Kjo është një çështje e Qeverisë dhe unë nuk do të merrem me këtë’, tha Dal Pino.

Presidenti i Serie A është duke punuar në krijimin e një kanali televiziv Lega Serie A, i cili mund të ndihmojë në shitjen e të drejtave.

‘Ne jemi shumë afër një kontrate dhe shpresojmë që gjithçka të finalizohet në fillim të janarit. Futbolli ka humbur 600 milionë euro këtë vit, kështu që është e qartë se futja e 1.7 miliardë euro për 10 përqind të kompanisë mediatike përfaqëson një lehtësim financiar’, përfundoi Paolo Dal Pino.

Të ngjashme