Mirlind Daku ka thyer heshtjen pas dënimit të marrë nga UEFA, ku u pezullua për dy ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë.
Sulmuesi gjilanas pas ndeshjes me Kroacinë, mori megafonin nga tifozët dhe bëri një veprim duke nxitur tifozët të fyejnë serbët dhe maqedonasit, ku edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë doli me një reagim publik.
Daku ka kërkuar menjëherë falje për gjestin e bërë, megjithatë ai mori dënimin nga UEFA me dy ndeshje pezullim.
Gjithsesi sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë tani ka thyer heshtjen duke folur për mediumin rus ‘Sport-express.ru‘, dhe duke sqaruar gjithçka që ka ndodhur.
“Natyrisht, kjo javë ishte shumë e vështirë. Jam përballur me presion që nuk e kam pasur asnjëherë. Isha në qendër të një skandali, për të cilin jam i turpëruar. Nuk kam dashur të nxis një situatë të tillë, pa përmendur që kjo ngjalli valë reagimesh në media. Çdo gjë doli nga kontrolli. Pas gjërave si kjo, gjithnjë filloj të stresohem. Këto mendime dhe përvojë nuk më lëshojnë”, ka thënë Daku për mediumin rus.
26-vjeçari ka thënë se e kuptoi menjëherë që ka bërë dhe ka gabuar që ka lejuar emocionet të ndikojnë tek ai.
“Pas ndeshjes së parë në Evropian me Italinë, mbrojtësi ynë, Elseid Hysaj, ka pranuar shumë kritika nga tifozët. Jo vetëm tifozët por edhe mediat kanë bërë presion ndaj tij. Pas ndeshjes me Kroacinë, kam dashur ta mbështes atë dhe kam shkuar së bashku me të te tribuna e tifozëve, që tifozët ta pranojnë atë, ta përkrahin dhe që të ndajmë momentin e gëzimit me të. Ata më pas i dhanë atij altoparlantin dhe unë isha afër. Më pas altoparlanti ishte në duart e mia dhe unë i thash ato fjalë”.
“Në ndeshje si ajo, tifozët shpesh lejojnë veten të bëjnë thirrje ofenduese ndaj tifozëve të vendeve tjera. Kjo atmosferë të shoqëron gjatë ndeshjes dhe të mbërthen. Ndikon te të gjithë në stadium. Ajo ndeshje kishte fund emocional ku shënuam golin e barazimit në minutën e fundit dhe unë bëra debutimin në Evropian. Kështu që emocionet ishin shumë të mëdha. Por kjo nuk më justifikon. Menjëherë më pas e kam kuptuar se çka kam bërë: kam thënë gjëra të papërshtatshme. Isha i shokuar që lejova emocionet të më kaplojnë dhe që lejova veten të bëj gjëra të tilla”, ka vazhduar tutje sulmuesi gjilanas.
Tutje Daku ka theksuar se nuk ka thënë asgjë për Serbinë, madje duke thënë se ka raporte të mira me futbollistët serbë te Rubin Kazani klubi ku është nën kontratë.
“Më e rëndësishmja, nuk është dashur të them fjalë të tilla për asnjë popull. Është thjeshtë e papranueshme. Është akt i tmerrshëm dhe nuk më vendos në pozitë të mirë. Pas asaj që ndodhi federata serbe nuk ka dërguar ankesë zyrtare në UEFA. Nuk kishte ankesë specifike ndaj meje. Por e përsëris që situata nuk më vendos në pozitë të mirë. Jam pishman dhe kërkoj falje ndaj të gjithëve që janë lënduar nga ky veprim”, tha Daku.
“Ne kemi një skuadër ndërkombëtare në Rubin dhe të gjithë lojtarët e respektojnë njëri-tjetrin. Kemi një ekip të fortë, marrëdhënie shumë të mira dhe madje miqësore me Chumich, Vujacic, Jocic dhe të gjithë djemtë. Por dua t’i kërkoj falje skuadrës, drejtuesve dhe stafit stërvitor”.
“Gjithmonë e kam ndjerë mbshtetjen e tyre gjatë gjithë sezonit. E di që është gabimi im. Vetëm me sjelljen time mund të vërtetoj se kjo mund t’i ndodhë kujtdo”, ka thënë Daku.
Krejt në fund ai foli edhe për komunikatën e Rubin Kazanit ku është paralajmëruar dënimi i tij.
“Unë e kuptoj këtë vendim. Është logjike që veprime të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Daku tha se te Shqipëria e mbështetën, por edhe kishte zhgënjim pasi e kuptuan se do të kishte sanksione nga UEFA.
“Ata panë përvojat e mia dhe unë jam mirënjohës për mbështetjen e tyre.Por ka pasur edhe zhgënjim, sepse e kuptuan se sanksionet do të vinin nga UEFA. Të gjithë e kuptojnë se kjo është një situatë e tmerrshme”, përfundoi Daku. /Telegrafi/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...