Google ADS

Clattenburg: Goli i Real Madridit në finale ndaj Atleticos ishte i parregullt, me këtë ia mbylla gojën Pepes

17:36 | 14 Maj 2020
L G

Ish-gjyqtari anglez Mark Clattenburg ka zbuluar se çfarë i kishte thënë ish-mbrojtësit të Real Madridit, Pepe, për t’ia mbyllur gojën gjatë finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2016.

Clattenburg e ndau drejtësinë në ndeshjen vendimtare evropiane, në të cilën gjiganti spanjoll e mundi Atletico Madridin me penallti, pasi loja e rregullt kishte mbaruar baras 1:1, transmeton Gazeta Express.

Zyrtari anglez ishte bërë i famshëm në rrjetet sociale pasi u duk sikur ishte tallur me Pepen duke e nxjerr gjuhën jashtë kur mbrojtësi portugez u hodh në dysheme duke e mbajtur fytyrën me pretendimin se ishte goditur nga një lojtar i Atleticos.

Ai e pati edhe një ballafaqim tjetër me të, kur akordoi penallti pas një faulli të Pepes në Fernando Torresin.

“Të gjithë me pyesin për incidentin në finalen e vitit 2016, kur e bëra atë gjest me gjuhë derisa ai po rrokullisej në tokë, duke aktruar. Në atë moment po mendoja: ‘Një burrë kaq i madh si mund të jetë kaq i dobët?’ Ai e bëri këtë dy herë gjatë ndeshjes për të më detyruar mua ta përjashtojë një lojtar të Atletico Madridit”, shkroi Clattenburg në Daily Mail.

“Ndonjë gjyqtar tjetër mund të kishte rënë në grackën e tij, por unë i pata bërë detyrat e shtëpisë, dhe e dija, pa dashur të gjykoja, se çfarë mentaliteti kishte ai dhe kisha nevojë për ato njohuri për ta trajtuar atë. Ai ishte një lojtar që nuk mund t’i besoje”, theksoi ai.

“Në atë finale, Real Madridi kaloi në epërsi 1:0 në pjesën e parë, por goli ishte pozitë jashtë loje dhe këtë e kuptuam në pushimin mes pjesëve – ishte vendim i vështirë dhe ndihmësi im e huqi”, vazhdoi ai.

“Ia dhashë Atleticos një penallti herët në pjesën e dytë kur Pepe bëri faull në Fernando Torresin. Pepe u tërbua dhe më tha mua me një anglishte të përsosur: ‘Kurrë nuk është penallti kjo, Mark’. Unë ia ktheva: ‘Goli juaj është dashur të anulohej’. Kjo ia mbylli gojën atij”, shtoi ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme